Last Updated on 03/10/2026 by Klara
Mbi 50 qytete spanjolle pritet të përfshihen të shtunën në protesta për krizën e strehimit, një ditë pasi parlamenti rrëzoi dy dekretet e qeverisë që synonin forcimin e mbrojtjes së qiramarrësve. Rritja e fortë e qirave dhe një dëbim që preku një 87-vjeçare kanë kthyer zemërimin publik në një tjetër sfidë për qeverinë e pakicës së kryeministrit Pedro Sánchez.
Protestat janë thirrur nga Unioni i Qiramarrësve, i cili deklaroi se ekziston një “shkëputje e pakthyeshme” mes kërkesave të qytetarëve dhe vendimeve të partive politike. Në Madrid, protestuesit do të nisen nga disa pika të kryeqytetit në mesditë dhe do të mblidhen në Plaza de Cibeles. Ndërkohë, aktivistë të strehimit kanë qëndruar prej rreth një jave në Puerta del Sol.
Në qendër të zemërimit publik është bërë rasti i Maricarmen Abascal, 87 vjeçe, e cila u nxor me barelë nga apartamenti në Madrid ku kishte jetuar për rreth 70 vjet. Sipas aktivistëve për strehimin, prona ishte blerë nga një kompani investimi, e cila kishte kërkuar rritjen e qirasë me 275 për qind. Pas reagimit të fortë publik, pronarët e rinj pranuan që ajo të rikthehej në banesë me një qira të ulët.
Dekretet e rrëzuara nga parlamenti
Masat e qeverisë u hartuan pas protestave të mëparshme në të gjithë vendin. Paketat e rrëzuara të premten parashikonin rinovimin automatik të kontratave të qirasë pas përfundimit të tyre, kufizimin e dëbimeve të qiramarrësve në kushte vulnerabiliteti dhe masa ndaj të ashtuquajturave “fonde grabitqare”, kompani investimi që blejnë prona me çmime të ulëta dhe synojnë fitime më të larta.
Për miratimin e dekreteve, qeverisë së Sánchez i nevojiteshin votat e partisë separatiste katalanase Junts, e cila votoi kundër duke argumentuar se masat nuk ishin mjaftueshëm të rrepta.
Rrëzimi i paketës përbën një tjetër goditje për kryeministrin socialist Pedro Sánchez dhe ka rikthyer pikëpyetjet mbi aftësinë e qeverisë së tij të pakicës për të qëndruar në pushtet deri në zgjedhjet e ardhshme të parashikuara për vitin 2027.
Lideri i Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijóo, i bëri thirrje Sánchez pas votimit të shpallë zgjedhje “sa më shpejt të jetë e mundur”, duke argumentuar se pas tetë vitesh në pushtet kryeministri nuk ka më mbështetjen e as rrugës, as parlamentit.
Kriza e strehimit prej vitesh është një nga shqetësimet kryesore të spanjollëve. Oferta e banesave nuk përmbush kërkesën, ndërsa kostot janë rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave të faqes së pasurive të paluajtshme Idealista, qiratë mesatare janë pothuajse dyfishuar gjatë dekadës së fundit, ndërsa çmimet e kërkuara për banesat janë rritur me rreth 90 për qind./k.m
