Moti i keq ka shkaktuar dëme të mëdha në Kretë, ndërsa Rrafshnalta e Lassithit është kthyer në një zonë të përmbytur, duke goditur rëndë sektorin bujqësor. Mijëra hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë, ndërsa prodhuesit kanë humbur të mbjellat pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit. Në qendër të dëmeve janë kulturat e patates. Sipas presidentit të Shoqatës Bujqësore të Rrafshnaltës Lassithi, Manolis Paterakis, rreth 5,000 deri në 6,000 hektarë me patate janë shkatërruar, me humbje që vlerësohen në 20,000 deri në 25,000 tonë prodhim.

“Shkatërrimi është total”, deklaroi Paterakis, duke përshkruar situatën në fushat e përmbytura. Në disa zona, niveli i ujit ka arritur deri në tre ose katër metra, ndërsa qëndrimi i ujit për ditë me radhë rrezikon tërësisht të korrat.Për fermerët, dëmi nuk lidhet vetëm me humbjen e prodhimit të këtij viti.
Ata kanë investuar tashmë në fara, plehra, pesticide, karburant dhe punë, ndërsa prodhimi që do t’u kthente këto shpenzime është shkatërruar nga përmbytjet.

“Ata nuk do të jenë në gjendje të jetojnë, e lëre më të kultivojnë”, është paralajmërimi i fermerëve, të cilët druhen se pa ndihmë financiare do ta kenë të pamundur të rikthehen në fushat e tyre në sezonin e ardhshëm.

Dëmet nuk janë kufizuar vetëm te patatet. Edhe fruta, perime dhe kultura të tjera janë dëmtuar rëndë. Kryetari i bashkisë së Rrafshnaltës Lassithi, Giorgos Athanasakis, ka deklaruar se “gjithçka u shkatërrua”, ndërsa një vlerësim paraprak e vendos dëmin financiar në rreth 8 milionë euro. Përmbytjet kanë goditur edhe infrastrukturën e zonës. Rrugë, kanale kulluese dhe rrjeti bujqësor kanë pësuar dëmtime, ndërsa prodhuesit kërkojnë ndërhyrje urgjente për pastrimin dhe rikonstruksionin e kanaleve dhe rrugëve./k.m
