Last Updated on 05/10/2026 by Monika
Pa bërë as një muaj pas emërimit si Përgjegjës i Evadimit të Mbetjeve në Bashkinë e Durrësit, Fetaj Mataj, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit, që përvetësoi paratë e pensioneve, është vënë në pranga. Ai dyshohet se ka përdorur postin për të kërcënuar me dhunë punonjësit që kishte në varësi që çdo muaj t’i jepnin nga 25 mijë lekë të rinj për të qëndruar në detyrë.
Me vendim të Gjykatës së Durrësit, ndaj tij është caktuar masa e arrestit në burg dhe akuzohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.
“Specialistët për Krimet e Rënda të DVP Durrës bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasin F. M., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar ndaj shtetasit F. M. masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”, njofton Policia.
Fetah Mataj u promovua në poste drejtuese në bashki, pak kohë pasi bashkëshortja e tij u arrestua nën akuzën e përvetësoi 700 mijë euro nga Posta e Durrësit, që ishin të destinuara për pensionet. Ajo aktualisht ndodhet nën masën arrest në shtëpi, ndërsa vetëm një ditë më parë, i biri u vu nën hetim në gjendje të lirë pasi bashkë me një shok dhunoi me grushte një polic jashtë shërbimit./mxh
