Chris Brown sërish në telashe! Diamond Brown, ish-partnerja e Chris Brown dhe nëna e vajzës së tij, e akuzon këngëtarin për kërcënime dhe ngacmime ndaj saj dhe burrave me të cilët ajo ka pasur lidhje pas ndarjes së tyre.
Sipas TMZ, Diamond pretendon se Chris Brown ka reaguar me zemërim ndaj lidhjeve të saj të reja dhe se ka bërë kërcënime me vdekje ndaj partnerit të saj të fundit, si edhe ndaj vëllait binjak të tij. Ajo pretendon gjithashtu se ai ka përfshirë persona të tjerë në këto kërcënime.
Ish-partnerja e këngëtarit thotë se edhe një lidhje e mëparshme e saj ka përfunduar për shkak të ngacmimeve që ajo ia atribuon Chris Brown. Sipas saj, kjo situatë i ka shkaktuar frikë dhe i ka cenuar qetësinë.
Diamond pretendon gjithashtu se gjatë gjashtë apo shtatë muajve të fundit Chris Brown nuk ka kërkuar të takojë vajzën e tyre, Lovely. Ajo thotë se sjellja e tij ka qenë shqetësuese dhe se së fundmi ai ka shpërthyer ndaj saj edhe në prani të vajzës, gjatë një feste ditëlindjeje.
Ajo pretendon se ka marrë edhe mesazhe apo forma ngacmimi përmes rrjeteve sociale. Sipas saj, që prej marsit avokati i saj i ka kërkuar përfaqësuesit ligjor të Chris Brown që kjo sjellje të ndalet, por pa rezultat.
Përplasja mes tyre lidhet edhe me detyrimin ushqimor për vajzën. Diamond pretendon se Chris Brown, pasuria e të cilit sipas saj arrin rreth 50 milionë dollarë, ka të ardhura shumë më të larta se të sajat, të cilat i vlerëson në rreth 1,500 dollarë në muaj. Ajo thotë se këngëtari nuk ka dorëzuar dokumentet financiare të nevojshme për përcaktimin e shumës së detyrimit mujor.
Diamond Brown ka ngritur padi për këtë çështje në maj, duke deklaruar se kërkon vetëm mbështetjen financiare të nevojshme për të mbuluar shpenzimet e vajzës së tyre.
Ndërkohë, Chris Brown i mohon akuzat për ngacmim. Sipas një emaili të dërguar nga avokati i tij, këngëtari i kundërshton pretendimet dhe kërkon informacione konkrete për rastet e përmendura./mxh
