Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ka uruar Justina Shiroka-Pula, presidenten e re të Kosovës. Përmes një postimi në X, Hoxha shprehet se ky është një moment i rëndësishëm për demokracinë në Kosovë dhe dëshmi e pjekurisë së institucioneve të saj demokratike.
Në fjalën e tij Hoxha thekoson gjithashtu se Shqipëria do të qëndrojë krah Kosovës në rrugën drejt familjes europiane.
Postimi i plotë
Urime të përzemërta znj. Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës. Ky është një moment i rëndësishëm për demokracinë në Kosovë dhe dëshmi e pjekurisë së institucioneve të saj demokratike, në përgjigje të nevojës për të forcuar më tej institucionet, për të konsoliduar arritjet shtetformuese të Kosovës dhe për të avancuar në rrugëtimin e saj evropian dhe euroatlantik.
Ky zhvillim pozitiv përcjell një mesazh të qartë: interesi i qytetarëve dhe i shtetit qëndron mbi çdo ndarje politike. Dialogu, mirëkuptimi dhe gjetja e gjuhës së përbashkët për çështjet me interes kombëtar janë tregues të pjekurisë demokratike dhe të përgjegjësisë institucionale.
Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Republikës së Kosovës, duke mbështetur përparimin e saj, forcimin e mëtejshëm të subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe avancimin e aspiratës së ligjshme për integrim të plotë në familjen evropiane dhe euroatlantike.
I uroj Presidentes së re suksese në përmbushjen e këtij misioni të lartë, në shërbim të Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj./k.m
