Last Updated on 07/10/2026 by Anisa
Një zjarr me përmasa të konsiderueshme përfshiu mbrëmjen e së martës fshatin Bestrovë, duke krijuar një situatë të vështirë në zonë. Tre vatra zjarri u aktivizuan pothuajse njëkohësisht, ndërsa era e fortë favorizoi përhapjen e shpejtë të flakëve.
Zjarri përshkoi një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi dhe shkurre, ndërsa u dëmtuan edhe rrënjë ullinjsh, duke shkaktuar dëme materiale në zonën e prekur.
Në vendngjarje mbërritën disa mjete zjarrfikëse, tre autobote dhe shërbimet e Emergjencave Civile. Forcat në terren punuan për rreth pesë orë për izolimin e vatrave dhe frenimin e përhapjes së flakëve.
Situata u bë më e rrezikshme pasi zjarri kërcënoi edhe dy stane. Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse bëri të mundur shmangien e përhapjes së flakëve drejt tyre.
Pas disa orësh operacione, zjarri u vu nën kontroll. Ndërkohë, vijon monitorimi i zonës për të shmangur riaktivizimin e vatrave.
Dëmet në bimësi, shkurre dhe ullinj vlerësohen si të konsiderueshme. Nga të dhënat paraprake dyshohet se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm, ndërsa hetimet pritet të përcaktojnë shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes./ad
