Një moment i pazakontë është regjistruar gjatë protestave studentore që po zhvillohen në Francë, ku kryebashkiaku i Saint-Denis, Bally Bagayoko, është parë përballë forcave të policisë, duke qëndruar mes efektivëve dhe protestuesve.
Bagayoko, i cili ka qenë i pranishëm në disa prej protestave të nxënësve dhe studentëve, u vendos përpara një grupi të rinjsh në një përpjekje për të ulur tensionet dhe për të shmangur përplasjen e tyre me policinë.
Pamjet e momentit janë publikuar në rrjetet sociale nga gazetari i pavarur Enzo Rabouy.
Protestat studentore në Francë kanë hyrë në javët e fundit në një fazë më të tensionuar.
Demonstruesit kërkojnë më shumë burime për arsimin, në një kohë kur në shumë shkolla raportohet mungesë mësuesish, klasa të mbipopulluara dhe probleme me infrastrukturën.
Sipas Reuters, lëvizja është përhapur në qindra shkolla dhe është shoqëruar edhe me përplasje me forcat e rendit.
Në Saint-Denis, situata është tensionuar disa herë gjatë protestave.
Bagayoko ka qenë i pranishëm në terren, ku është parë duke lëvizur mes nxënësve dhe policisë dhe duke tentuar të ndërmjetësojë për rikthimin e qetësisë.
