Last Updated on 07/10/2026 by EL
I ftuar në “Tonight” me Mirela Milorin, gazetari i kronikës Artan Hoxha foli për punën SPAK teksa u shpreh se pritshmëritë ndaj institucionit për goditjen e korrupsionit në nivelet e larta dhe krimit të organizuar mbeten të mëdha.
Hoxha tha se, sipas tij, suksesi dhe volumi më i madh i punës së SPAK është evidentuar në dosjet e ardhura nga jashtë vendit, veçanërisht nga materialet e aplikacioneve të komunikimit SKY ECC dhe EncroChat.
“Pritshmëria te SPAK-u është shumë e madhe për të goditur në nivelet e larta. Pjesa më e suksesshme është ajo që mbulon krimin e organizuar dhe suksesi ka ardhur pas materialeve të SKY ECC dhe EncroChat, të ardhura nga jashtë. Me thënë të drejtën, nuk ka as infiltrime, as hetim siç ka bërë dikur Prokuroria e Krimeve të Rënda. Pse s’ka ndodhur kjo, nuk e di. SPAK-u është më tepër i avancuar në dosjet që kanë ardhur nga Bashkimi Evropian, jo me grupet në vend. Janë goditur kryesisht grupet që kanë aktivitet në vendet e Bashkimit Europian, që trafikojnë kokainë në BE dhe marrin paratë e qytetarëve të BE-së dhe i sjellin në Shqipëri. Grupet në vend nuk janë goditur, por vetëm ato jashtë”, u shpreh ai. Prandaj ambasadori i BE-së dhe ambasadorët e vendeve të BE-së e mbështesin SPAK-un dhe GJKKO-n, pasi po mbarojnë punët e pista të Evropës. Ke dëgjuar ti ndonjë ambasador që thotë: janë 180 mijë dosje stok, nuk u bëhet vonë për shqiptarët? Por për shqiptarët që bëjnë trafik në Evropë, BE-ja i thotë SPAK-ut: ‘Bjeruni kokës’ dhe këta këtë po bëjnë”, deklaroi Artan Hoxha./et
