Thellimi i partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë ishte në qendër të vizitës zyrtare të Ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi, në Ankara, ku u prit nga homologu i tij turk, Yaşar Güler.
Gjatë takimit dypalësh, ministrat diskutuan për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mbrojtje, modernizimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura shqiptare dhe orientimin e marrëdhënieve drejt projekteve konkrete në fusha me interes të ndërsjellë.
Ministri Nufi vlerësoi marrëdhëniet e konsoliduara mes dy vendeve, të mbështetura në lidhjet historike dhe njerëzore, anëtarësimin e përbashkët në NATO dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Shqipëria dhe Turqia ndajnë një partneritet të konsoliduar, të mbështetur në lidhje të forta historike dhe njerëzore, anëtarësimin e përbashkët në NATO dhe një bashkëpunim të qëndrueshëm në fushën e mbrojtjes e sigurisë”, deklaroi Nufi.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rolit të Turqisë në modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ndërsa u nënvizua rëndësia e arsimit dhe trajnimit të personelit ushtarak shqiptar në institucionet turke.
“Për më shumë se 20 vjet, kadetë, oficerë dhe nënoficerë shqiptarë kanë ndjekur akademi dhe programe trajnimi në Turqi, duke e bërë arsimin dhe trajnimin një nga shtyllat më të qëndrueshme të marrëdhënies dypalëshe në mbrojtje”, u shpreh ministri shqiptar.

Sipas tij, bashkëpunimi do të vijojë të fokusohet në modernizimin e FARSH, zhvillimin e kapaciteteve dhe rritjen e ndërveprueshmërisë, në përputhje me standardet dhe objektivat e NATO-s.
Në takimin mes dy ministrave u diskutua gjithashtu për zgjerimin e bashkëpunimit me kompanitë turke, përmes investimeve në Shqipëri dhe krijimit të mundësive për ndërmarrje të përbashkëta.
Ministri Nufi theksoi se Shqipëria sheh potencial të rëndësishëm për transferimin e teknologjisë dhe zhvillimin e kapaciteteve vendase, duke krijuar mundësi të reja për industrinë shqiptare të mbrojtjes.
“Shqipëria sheh potencial për transferim të përshtatshëm të teknologjisë dhe zhvillim të kapaciteteve vendase, duke krijuar mundësi të reja për industrinë shqiptare të mbrojtjes”, deklaroi Nufi.
Në kuadër të bashkëpunimit në sigurinë rajonale dhe euroatlantike, ministri shqiptar vlerësoi gjithashtu kontributin e Turqisë në KFOR, si dhe mbështetjen për kontingjentin shqiptar në EUFOR ALTHEA.
Të dy ministrat ndanë bindjen se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Turqisë duhet të intensifikohet më tej, duke kaluar drejt një programi më të strukturuar bashkëpunimi praktik, me projekte konkrete dhe rezultate të matshme.

Vizita e Ministrit Ermal Nufi në Ankara synon t’i japë një dimension të ri partneritetit strategjik Shqipëri–Turqi, duke e orientuar atë gjithnjë e më shumë drejt zhvillimit të kapaciteteve, projekteve të përbashkëta dhe forcimit të sigurisë së përbashkët në kuadër të NATO-s./k.m
