Last Updated on 08/10/2026 by EL
Nisma e re e G7 për lirimin e deri në 100 milionë fuçive naftë synon të përfundojë lirimin emergjent prej 400 milionë fuçish të koordinuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë në mars, dhe jo t’i shtojë këtij vëllimi një tjetër sasi prej 100 milionë fuçish.
Sipas një dokumenti të brendshëm të parë nga Euronews, nga 400 milionë fuçitë e parashikuara në mars, deri tani janë nxjerrë në treg 326 milionë. Dokumenti thekson se 100 milionë fuçitë e përmendura në deklaratën e G7 mund të mbulohen brenda mekanizmit ekzistues, nëse të gjitha vendet përmbushin angazhimet e tyre.
Anëtarët e IEA-së mbështetën përshpejtimin e lirimeve të nisura në mars dhe përfundimin e tyre “sa më shpejt të jetë e mundur”, gjatë një takimi të zhvilluar më 7 tetor së bashku me Komisionin Evropian.
Presioni është shtuar pas një ultimatumi nga Uashingtoni, i cili i ka kërkuar Evropës të nxjerrë më shumë naftë bruto dhe naftë diesel nga rezervat, në të kundërtën rrezikon një ndalim të eksporteve të dieselit. Tregjet globale të naftës mbeten të paqëndrueshme për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme të furnizimit në Lindjen e Mesme, ndërsa nafta Brent të enjten tregtohej rreth 105 dollarë për fuçi.
Drejtori i IEA-së, Fatih Birol, tha se flukset e naftës bruto nga Lindja e Mesme po rikuperohen ndjeshëm. Megjithatë, furnizimi me produkte të rafinuara, veçanërisht diesel dhe karburant avioni, mbetet shumë i kufizuar. Situata është përkeqësuar nga ndërprerjet në kapacitetet ruse të rafinimit dhe ndalimi i eksporteve nga Kina.
Në takimin IEA-BE, të gjithë pjesëmarrësit mbështetën prioritizimin e rezervave të dieselit, për shkak të mungesës aktuale në treg. Sipas të dhënave të IEA-së, bëhet fjalë për një “ndërprerje reale fizike të furnizimit me diesel”.
Disa qeveri evropiane i kanë përmbushur tashmë detyrimet e tyre, ndërsa të tjera duhet të përfundojnë procedurat kombëtare. Edhe pse marrëveshja politike ekziston, zbatimi i saj varet nga vendimet e secilit shtet për mënyrën se si do të llogariten dhe do të çlirohen rezervat strategjike.
Greqia, Italia dhe Portugalia kanë përmbushur angazhimet e tyre. Rezervat emergjente të Francës, Gjermanisë, Holandës dhe Spanjës janë ende në vlerësim.
Portugalia ka vënë në pikëpyetje efektivitetin e mënyrës se si IEA menaxhon lirimin emergjent të rezervave dhe ka deklaruar se do të shqyrtojë angazhime të reja vetëm pasi të gjitha vendet të kenë përmbushur detyrimet ekzistuese. Sipas dokumentit, në nivelin e BE-së mbeten ende për t’u realizuar rreth 50 milionë fuçi.
Ndërkohë, Greqia kërkon të dijë se sa kohë ka arritur të sigurojë deri tani lirimi i rezervave të miratuar në mars.
Çfarë fshihet pas shifrës prej 100 milionë fuçish?
Dokumenti i brendshëm i parë nga Euronews ndihmon në qartësimin e formulimit të paqartë të përdorur nga G7 në deklaratat e fundit.
Më 2 tetor, G7 deklaroi se do të përmbushte angazhimet përmes një lirimi të koordinuar prej 100 milionë fuçish gjatë katër muajve, duke përfshirë një sasi të konsiderueshme diesel që do të nxirrej në treg gjatë 20 ditëve të para. Nisma u lidh me “zbatimin e menjëhershëm dhe të plotë” të angazhimeve të marsit 2026.
Në deklaratën e 7 tetorit, G7 theksoi se pjesëmarrësit në takimin IEA-BE “riafirmuan angazhimin e tyre për përmbushjen e masës së përbashkët të marsit 2026”.
Masa e marsit ishte një përgjigje emergjente ndaj goditjes së furnizimit me naftë në Lindjen e Mesme, pas sulmeve ushtarake amerikane dhe izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt dhe mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.
Në atë kohë, vendet anëtare të IEA-së ranë dakord të vinin në dispozicion të tregut 400 milionë fuçi, pjesa më e madhe e të cilave do të ishte naftë bruto, ndërsa vendet evropiane do të siguronin një pjesë më të madhe të produkteve të rafinuara.
Mund të ketë një tjetër lirime rezervash
IEA deklaron se vendet anëtare disponojnë ende rreth 1.1 miliardë fuçi rezerva emergjente publike, përfshirë më shumë se 200 milionë fuçi diesel.
Agjencia me seli në Paris nuk ka përjashtuar mundësinë e lirimeve të tjera nëse situata e kërkon. Për momentin, fokusi është te përfundimi i pjesës së mbetur të mekanizmit të miratuar shtatë muaj më parë.
IEA thotë se lirimet e marsit kanë ndihmuar tashmë në mbulimin e një pjese të mungesës së furnizimit, por tregjet e dieselit mbeten veçanërisht të tensionuara. Për këtë arsye, masa e tetorit ka një fokus të ndryshëm nga ajo e marsit, me theks më të madh te karburantet e rafinuara.
Testi i radhës politik pritet më 15 tetor, kur Bordi Drejtues i IEA-së do të mbledhë qeveritë për të përcaktuar detajet e operacionit, përfshirë vëllimet, afatet dhe llojin e produkteve të rafinuara të naftës që do të hidhen në treg.
