Tre shtetas shqiptarë, 48, 38 dhe 36 vjeç, janë arrestuar në Itali, nën dyshimin për përfshirje në 20 vjedhje në banesa, të kryera mes janarit dhe prillit 2026 në provincat e Ankonës, Maceratës dhe Fermos.
Sipas hetimeve, ata dyshohet se hynin në banesa gjatë natës, ndërsa familjet ishin në gjumë, dhe vidhnin para dhe sende me vlerë. Për të tre, gjykata ka caktuar masën e “Arrestit shtëpiak” me byzylyk elektronik.
Sipas hetimeve të karabinierëve të Njësisë Operative dhe Radiomobile të Osimos, nën drejtimin e Prokurorisë së Ankonës, grupi dyshohet se është përfshirë në 20 episode kriminale, mes tyre 16 vjedhje të realizuara dhe tri tentativa. Për një nga episodet, hetuesit kanë siguruar prova gjatë kontrollit të kryer në natën e 14 prillit në Osimo.
Atë natë, tre burrat u ndaluan në një automjet pranë daljes së autostradës në Loreto. Gjatë kontrollit, karabinierët gjetën një unazë martese, një kapëse floriri për kartëmonedha dhe 2.090 euro cash. Sipas autoriteteve, sendet dhe paratë dyshohet se vinin nga një banesë e grabitur pak më parë.
Nga ky kontroll, hetuesit nisën të rindërtonin lëvizjet e të dyshuarve dhe të verifikonin lidhjet e tyre me episode të tjera.
Sipas rindërtimit të hetuesve, tre të dyshuarit niseshin nga Silvi Marina, në provincën e Teramos, në rajonin e Abruzzos, duke përdorur të njëjtën makinë.
Pasi mbërrinin në zonën e përzgjedhur, dy prej tyre dyshohet se hynin në banesa, ndërsa personi i tretë qëndronte në timon, gati për t’i marrë pas përfundimit të vjedhjes. Veprimet kryheshin kryesisht në orët e vona të natës, me qëllim shfrytëzimin e faktit se banorët ishin në gjumë.
Për të hyrë brenda, ata dyshohet se hapnin vrima në dritare ose detyronin kornizat e dyerve dhe dritareve. Më pas kërkonin para dhe sende me vlerë, veçanërisht bizhuteri prej ari dhe argjendi.
Sipas bilancit të hetimeve, vlera e sendeve të vjedhura arrin në rreth 55 mijë euro. Mbi 5 mijë euro janë para të gatshme, ndërsa rreth 50 mijë euro përllogaritet vlera e bizhuterive prej ari dhe argjendi.
Kësaj shume i shtohen edhe dëmet materiale të shkaktuara në dyer dhe dritare gjatë hyrjes me forcë në banesa.Vjedhjet e dyshuara janë regjistruar në Osimo, Sant’Elpidio a Mare, Recanati dhe Montecosaro, në rajonin e Markeve, në Italinë qendrore.
Hetimet u zhvilluan nga karabinierët e Osimos, në koordinim me Prokurorinë e Ankonës. Të tre personat janë nën hetim dhe ndaj tyre është caktuar masa e arrestit shtëpiak me byzylyk elektronik./ad
