Last Updated on 20/11/2026 by EL
Shqipëria do të vijojë rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen edhe në vitin 2027, duke i çuar ato në 2,61% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Buxheti i alokuar për mbrojtjen arrin në 76,3 miliardë lekë, ndërsa mbi 57% e fondeve do të orientohen drejt modernizimit të Forcave të Armatosura dhe zhvillimit të kapaciteteve të tyre.
Gjatë një interviste televizive, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi bëri një pasqyrim të buxhetit të mbrojtjes për vitin 2027, duke u ndalur te investimet, angazhimet e Shqipërisë në kuadër të NATO-s dhe objektivat për forcimin e kapaciteteve ushtarake.
Duke folur për objektivin e ri të Aleancës, të dakordësuar në Samitin e Hagës, ministri Nufi theksoi se angazhimi për shpenzimet në nivelin 5% të PBB-së duhet të përmbushet deri në vitin 2035, përmes një plani gradual të rritjes së investimeve.
“Masa 5% është për vitin 2035. Deri në vitin 2035 të gjitha shtetet duhet të ndjekin një shteg, i cili quhet ‘shtegu i besueshëm i shpenzimeve’ (credible path for expenditure), ku Shqipëria po përmbush plotësisht kërkesat e Aleancës dhe kjo është konfirmuar nga vetë Sekretariati i NATO-s”, u shpreh ministri Nufi.
Sa i përket buxhetit të vitit 2027, ministri Nufi bëri të ditur se shpenzimet për mbrojtjen do të arrijnë në 2,61% të PBB-së, nga të cilat 2,35% do të jenë shpenzime bazë të mbrojtjes, duke shënuar një rritje krahasuar me nivelin 2,2% të mëparshëm.
Një vëmendje të veçantë gjatë intervistës iu kushtua edhe destinacionit të fondeve dhe prioriteteve të investimeve për vitin e ardhshëm. Sipas ministrit Nufi, modernizimi i Forcave të Armatosura mbetet një nga drejtimet kryesore të buxhetit, me më shumë se gjysmën e fondeve të dedikuara për këtë qëllim.
“Pjesa më e madhe e këtij buxheti, mbi 57%, shkon për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe për modernizimin e kapaciteteve”, theksoi ministri.
Përmes rritjes së investimeve dhe orientimit të burimeve financiare drejt modernizimit, Shqipëria vijon angazhimin për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe përmbushjen e objektivave të përbashkëta të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
