Last Updated on 09/10/2026 by EL
Avokati Sokol Tahiraj këtë të premte vendosi të thyejë bojkotin e avokatëve në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) lidhur me rastin e një nëne të burgosur.
Ai shprehet se rasti i Antoneta Malos nuk ishte një kërkesë për t’i shpëtuar ligjit apo përgjegjësisë penale, por një thirrje që drejtësia të zbatohet me proporcionalitet dhe përgjegjësi njerëzore.
Avokati shtoi se GJKKO ka pranuar shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për gjashtë muaj. Sipas tij, ky zhvillim është i rëndësishëm, teksa theksoi se drejtësia nuk duhet të harrojë që fëmijët mund të mbajnë pasojat më të rënda të një vendimi.
Fjala e plotë e avokatit:
Rasti i Antoneta Malos ngre një pyetje që na prek të gjithëve: kur zbatimi i një vendimi penal prek drejtpërdrejt jetën e dy fëmijëve kaq të vegjël, a mjafton të zbatohet dënimi pa u shqyrtuar me kujdes pasojat për ta?
Antoneta Malo është nënë e dy fëmijëve, një vajze 3-vjeçare dhe një djali 1 vjeç e 3 muaj, i cili ka lindur para kohe dhe, sipas dokumentacionit të paraqitur, ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm nga e ëma.
Kjo nuk është kërkesë për t’i shpëtuar ligjit. Është kërkesë që ligji të zbatohet me drejtësi, proporcionalitet dhe përgjegjësi njerëzore.
Nenet 53 dhe 54 të Kushtetutës garantojnë mbrojtjen e familjes dhe mbrojtjen e veçantë të fëmijëve. Konventa për të Drejtat e Fëmijës kërkon që interesi më i lartë i tyre të jetë konsideratë parësore, ndërsa neni 476/1(c) i Kodit të Procedurës Penale lejon shtyrjen e ekzekutimit kur ai mund të sjellë pasoja të rënda për familjen.
Por çfarë vlere kanë këto garanci nëse interesi i fëmijës përmendet vetëm formalisht, pa u analizuar konkretisht shëndeti, zhvillimi dhe nevoja për kujdesin e nënës? A janë shqyrtuar realisht alternativat më pak kufizuese dhe pasojat që mund të ketë ndarja e menjëhershme për secilin fëmijë?
Askush nuk po kërkon që përgjegjësia penale të zhduket. Po kërkojmë që dy fëmijë, të cilët nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për veprimet e prindërve të tyre, të mos trajtohen si një pasojë e parëndësishme e vendimmarrjes gjyqësore.
Sipas raportimeve të sotme, GJKKO ka pranuar shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për gjashtë muaj. Ky zhvillim është i rëndësishëm, por pyetja mbetet: a do të zbatohet i njëjti standard i kujdesshëm dhe i arsyetuar në çdo rast ku preken jeta dhe të drejtat e fëmijëve?
Drejtësia nuk duhet të jetë më pak e rreptë ndaj krimit. Ajo duhet të jetë më e kujdesshme ndaj pasojave që vendimet e saj sjellin për njerëzit.
Sepse kur flasim për drejtësi, nuk duhet të harrojmë kurrë fëmijët që nuk kanë zë në sallën e gjyqit, por që mund të mbajnë pasojat më të rënda të një vendimi./ET
