Last Updated on 09/10/2026 by EL
Me 85 vota PRO u votua në mesnatë, drafti i PS-së për Reformën Territoriale, që tashmë do të kemi 46 bashki. Deputeti i PS-së, Erion Braçe mbajti një fjalim të fortë kritikues në Kuvend, por në fund votoi pro saj. Për këtë çështje foli në emisionin “Shqipëria Live”, sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, ku tregoi se diskutimet brenda grupit parlamentar kanë qenë të hapura dhe se Braçe kishte shprehur rezervat e tij lidhur me mënyrën se si duhej të trajtohej reforma.
I pyetur nëse deputetët votuan nën presionin e deklaratave se kush nuk votonte duhej të largohej, Klosi e mohoi këtë interpretim. Ai argumentoi se kur një votim konsiderohet politik, anëtarët e grupit duhet të respektojnë rregulloren parlamentare dhe statutin e partisë. “Kur vota është politike, do të duhet të ndiqet nga të gjithë”, u shpreh Klosi.
Sidorela Gjoni: Si u bind Erion Braçe? Sepse pati takime ballë për ballë me kryeministrin Edi Rama disa nga personazhet të cilët ishin në mëdyshje.
Blendi Klosi: Unë isha prezent dhe po ju them që ishte një diskutim shumë i hapur përsa i përket kësaj pjese të diskutimit. Pra, Erioni shprehu dhe në mbledhjen e grupit arsyet pse do të donte të bëhej në kah të kundërt diskutimi. Pra në radhë të parë të flitej për kompetencat, të flitej për financat e Bashkive, të flitej për çfarë do të bëhej më mbrapa dhe më pas të hynim te harta. Natyrisht që nuk kishte ndonjë gjë ekstravagante.
Sidorela Gjoni: A votuan kolegët tuaj nën presionin e një fjalie ‘kush nuk voton le të ikë’?
Blendi Klosi: Jo, nuk është presion i një fjalie, është e shkruar në rregulloren e grupit parlamentar, në statutin e partisë, kur vota është politike, do të duhet të ndiqet nga të gjithë.
Sidorela Gjoni: A lejohet që të ketë secili mendimin e tij?
Blendi Klosi: Padyshim, secili ka mendimin e tij. Edhe unë e dhashë mendimin tim.
Sidorela Gjoni: A dëgjohet mendimi?
Blendi Klosi: Padyshim. Pse, mendimi i Erionit nuk është dëgjuar?
Sidorela Gjoni: Erion Braçe nuk do që Divjaka të shkrihet si bashki.
Blendi Klosi: Dakord, kishte opinionin e tij. Mblidhen opinionet, prandaj është forcë politike, prandaj është strukturë politike, janë vektorë që jo të gjithë kanë të njëjtin kah, por që mblidhen drejt magnetit të madh, dhe është Partia Socialiste./ET
