Last Updated on 10/10/2026 by EL
Përdorimi i celularëve mbetet një nga shqetësimet kryesore për prindërit, që ndikon në përqendrimin, sjelljen dhe zakonet e përditshme të fëmijëve. E ftuar në emisionin “Shëndet Paç” , mjekja pediatre në QSUT, Rajda Petrela, tha se celulari është sëmundje në Shqipëri.
“Vijnë prindërit edhe thonë që nuk më ha pa celular, ose nuk më nuk fut gjë në gojë pa celular. 40 vjet punë në QSUT më kujtohen ato kohëra që kishte celular dhe nuk kishin këto ankesa të këtij lloji. Po kjo gjë mësohet. Kur ti e mëson fëmijën, se po mos ta mësosh, mendoj unë nuk ka mundësi që fëmija të thotë unë nuk ha pa celular”.
Sipas saj, ngrënia përpara ekranit e shpërqendron fëmijën nga vakti dhe ndikon në sjelljen e tij.
“Në qoftë se ti do t’i vësh përpara ushqimin, në një anë do ketë celularin, në një anë do ketë televizorin, atëherë jo vetëm që nuk shijohet, por nuk arrihet të merret vakti si duhet, sepse ajo nuk lejon që fëmija të përqëndrohet pikërisht në atë vakt që ti i ke vënë përpara. Është e rëndësishme edhe për mënyrën e marrjes së ushqimit, edhe për tretjen, edhe nga ana mendore dhe nga ana psikologjike, të gjitha janë të rëndësishme. Unë mendoj që secili, duhet të marrë kohën e vetë në mënyrë që fëmija të kuptojë që ky është orari për të ngrënë, ky është orari për të bërë mësimet, ky është orari për të fjetur. Sheh shumë fëmijë që janë nervozë, sepse shpeshherë ndikon ky celular dhe në nervozizmin e fëmijës që janë të shpërqëndruar, që nuk të përgjigjen si duhet, megjithëse janë fëmijë normalë, që i përgjigjen ndonjëherë prindërve me tone të larta, ndikojnë këto të gjitha në psikologjinë e fëmijës. Sigurisht oraret e papërshtatshme, lodhja mendore. Po celulari është vërtetë problem”, theksoi doktoresha.
E pyetur nëse ka një zgjidhje përballë këtij fakti, doktoresha thekson se është përgjegjësi e prindit që të mësojë fëmijën për të mos qenë i varur nga telefoni.
“Në qoftë se ti pranon që ta lësh fëmijën dy-tre orë në televizor duke parë filma, atëherë sigurisht që do shpërqëndrohet kur të bëjë mësimet, sepse do lodhet duke parë televizor celulari. Po e po që është shumë i rëndësishëm, sepse ne si t’i mësojmë kalamajtë ashtu edhe do edukohen. Unë mendoj që jemi ne që i kemi mësuar me celular dhe duhet patjetër ta heqim këtë zakon të mbajtjes së celularit, sepse ti sheh fëmijë pa bërë një vjeç e gjysmë pa bërë dy vjeç që rrinë gjithë ditën me celular në dorë. Sigurisht ndonjëherë jepet celulari për të parë ndonjë film me kukulla, ndonjë gjë që ti tërheqësh vëmendjen. Po jo të bëhet i varur nga celulari, sepse është dhe e dëmshme. E dëmshme për shëndetin edhe për të rriturit dhe për fëmijët që të mbajnë gjithë ditën celular në dorë”, tha ajo
Teksa këshilloi prindërit që të edukojnë fëmijët për higjienën e dhëmbëve ajo tha se e kundërta ndikon në sëmundje të ndryshme.
“Kultura e të higjienës së gojës është shumë e rëndësishme sidomos në Shqipëri, sepse akoma shohim të tilla gjëra që jo të gjithë i mësojnë që sa herë ushqehen të lajnë edhe gojën. Është shumë e rëndësishme. Është detyrë e prindërve që t’i mësojmë me regjimin e ri, por edhe me edukatën shëndetësore. Higjiena personale është shumë e rëndësishme, regjimi i banjës komplet dhe larja e gojës, larja e dhëmbëve. Sa herë ha bukë, të paktën minimumi dy herë në ditë. Unë do thoja sa herë edhe në mëngjes dhe në drekë do të ishte ideale, sepse ka akoma neglizhencë në larjen e në pastërtinë edhe në higjienën e dhëmbëve që është shumë e rëndësishme se kjo pastaj reflektohet më vonë dhe bëhet shkak për sëmundje të ndryshme”, theksoi mjekja, ndërsa këshilloi që fëmijët të flenë herët, rreth orës 21:30, të mos anashkalojnë mëngjesin dhe të konsumojnë ushqime të shëndetshme, mundësisht të përgatitura në shtëpi.
Në emisionin “Shëndet Paç” , mjekja Petrela, ndau këshilla për prindërit mbi organizimin e rutinës së fëmijëve dhe kujdesin për shëndetin e tyre gjatë stinës së vjeshtës./et
