Last Updated on 11/10/2026 by EL
Të paktën 139 emigrantë kanë humbur jetën pasi një varkë u mbyt në brigjet e Xhibutit, ndërsa 84 persona të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Lajmi u bë i ditur të dielën nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), pjesë e Kombeve të Bashkuara.
Varka transportonte 305 persona nga Xhibuti drejt Jemenit, kur u mbyt në zonën e Guhere, në veri të qytetit Obock. Ngjarja ndodhi gjatë natës mes 8 dhe 9 tetorit.
Bilanci i viktimave u rrit në 139, pasi ekipet e kërkim-shpëtimit nxorën nga deti edhe 30 trupa të tjerë. Në raportimin e parë, IOM bëri të ditur se mes 109 viktimave të identifikuara fillimisht ishin 52 burra, 42 gra dhe 15 fëmijë, përfshirë nëntë vajza dhe gjashtë djem.
Më shumë se 80 persona arritën të mbijetonin nga mbytja e varkës. Sipas IOM, të gjithë personat në bord ishin shtetas etiopianë.
“Është një humbje shkatërruese jete. Mendimet tona janë me të mbijetuarit dhe familjet që kanë humbur të dashurit e tyre ose që ende nuk kanë asnjë lajm për të afërmit”, deklaroi Alexandre Coissac, drejtuesi i misionit të IOM në Xhibuti.
Ai shtoi se ekipet e organizatës po punojnë në terren së bashku me autoritetet vendase për të ofruar ndihmë emergjente. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, ndërsa të mbijetuarit po marrin asistencën e nevojshme.
Çdo vit, dhjetëra mijëra emigrantë përshkojnë Bririn e Afrikës dhe kalojnë përmes Xhibutit, në përpjekje për të kaluar ngushticën Bab el-Mandeb drejt Jemenit dhe më pas për të mbërritur në vendet e Gjirit Persik.
Sipas IOM, varfëria, pasiguria dhe ndikimet gjithnjë e më të mëdha të ndryshimeve klimatike i shtyjnë shumë njerëz të ndërmarrin këtë udhëtim të rrezikshëm, pavarësisht paqëndrueshmërisë në rritje në Lindjen e Mesme.
Në muajin mars, një tjetër aksident detar në brigjet e Xhibutit u mori jetën nëntë emigrantëve, ndërsa 45 të tjerë rezultuan të zhdukur gjatë përpjekjes për të kaluar drejt Jemenit.
IOM bëri gjithashtu të ditur se, që prej 10 shtatorit, janë regjistruar më shumë se 20 mijë lëvizje hyrëse nga Etiopia drejt Xhibutit, sipas të dhënave të Mekanizmit të Gjurmimit të Zhvendosjeve të organizatës./et
