Last Updated on 12/10/2026 by EL
Florin Bratu nuk është më trajner i Partizanit. Klubi i kuq ka njoftuar përfundimin e bashkëpunimit me teknikun rumun pas disfatës 1-3 në derbin ndaj Tiranës.
Përmes një njoftimi zyrtar, Partizani bëri të ditur se vendimi lidhet me rezultatet e regjistruara, të cilat, sipas klubit, kanë cenuar ndjeshëm objektivat sportivë të sezonit.
“FK Partizani njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Florin Bratu dhe pjesëtarët e stafit të tij teknik. Ky vendim vjen si pasojë e rezultateve zhgënjyese të regjistruara në këtë fillim sezoni, të cilat kanë cenuar ndjeshëm objektivat sportivë të klubit”, thuhet në njoftimin e klubit. Seancën e radhës stërvitore do ta drejtojë Alfred Deliallisi, trajneri aktual i Partizanit B”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, klubi i ka uruar Bratut dhe pjesëtarëve të stafit të tij suksese në vazhdim të karrierës sportive.
Pas gjashtë javësh kampionat, Partizani renditet në vendin e parafundit në Superligë, me vetëm katër pikë të grumbulluara.
Sa i përket pasuesit të Bratut, klubi po shqyrton disa alternativa dhe pritet që trajneri i ri të jetë i huaj.
