Last Updated on 14/10/2026 by Anisa
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protestë të ruajnë qetësinë dhe të distancohen nga personat e maskuar, të cilët, sipas policisë, po sulmojnë punonjësit e saj dhe po dëmtojnë pronën publike e private.
Përmes një apeli publik, Policia e Shtetit thekson se e drejta për të protestuar është e garantuar nga Kushtetuta, por nënvizon se aktet e dhunës ndaj punonjësve të policisë, qytetarëve dhe institucioneve janë të papranueshme dhe të dënueshme me ligj.
“Apelojmë për ndërprerjen e menjëhershme të akteve të dhunës”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit, e cila paralajmëron se çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të mbajë përgjegjësi penale.
Policia bën me dije se po vijon detyrën për garantimin e sigurisë publike, mbrojtjen e jetës dhe pronës, si dhe për të mundësuar ushtrimin e së drejtës për tubim paqësor.
Në përfundim të apelit, Policia e Shtetit siguron se do të veprojë me profesionalizëm, përmbajtje dhe vendosmëri, në përputhje me ligjin.
“E drejta për të protestuar mbrohet. Dhuna nuk tolerohet”, përfundon reagimi i Policisë së Shtetit.
View this post on Instagram
