Last Updated on 14/10/2026 by EL
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka dënuar dhunën e pretenduar të Policisë së Shtetit ndaj deputetëve të opozitës gjatë protestës në Tiranë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi tha se ky është një akt banditesk, i padenjë për njerëz që mbajnë uniformën e shtetit. Sipas tij deputetët kanë të drejtë të ushtrojnë kontroll parlamentar dhe të verifikojnë respektimin e të drejtave të qytetarëve.
Reagim i kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi
Pas dhunës kriminale ndaj të rinjve dhe të rejave që protestojnë, tani radha i erdhi deputetëve të opozitës.
Dhuna e ushtruar nga punonjës të Policisë së Shtetit ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë është një akt banditesk, i padenjë për njerëz që mbajnë uniformën e shtetit. Çdo punonjës policie që ushtron dhunë ndaj një deputeti gjatë ushtrimit të detyrës së tij, shkel rëndë ligjin dhe cenon funksionimin e institucioneve demokratike.
Statusi i deputetit dhe kompetencat që burojnë nga legjislacioni në fuqi u njohin deputetëve të drejtën të ushtrojnë kontroll parlamentar, të verifikojnë respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe të mbikëqyrin veprimtarinë e institucioneve shtetërore, në përputhje me ligjin. Ata kanë të drejtë të hyjnë në çdo institucion shtetëror.
Uniforma e policisë nuk mund të jetë mburojë për paligjshmërinë dhe as justifikim për dhunën. Kjo nuk është Policia e Shtetit, por Policia e Pushtetit të korruptuar dhe kriminalizuar të Edi Ramës. /et
