Last Updated on 14/10/2026 by EL
Ministria e Drejtësisë është përfshirë mbrëmjen e sotme nga aktet e vandalizmit gjatë protestës në Tiranë. Protestuesit kanë thyer xhamat e godinës, ndërsa është djegur edhe zyra e Ndihmës Juridike Falas, një shërbim që u vjen në ndihmë qytetarëve të cilët nuk kanë mundësi financiare të paguajnë një avokat.
Për ngjarjen ka reaguar ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili ka bërë të ditur se fatmirësisht nuk ka pasur punonjës të lënduar. Ai ka falënderuar zjarrfikësit dhe efektivët e Policisë për ndërhyrjen, duke theksuar se dëmi më i rëndë nga kjo ngjarje nuk i është shkaktuar qeverisë, por qytetarëve që kanë më shumë nevojë për mbështetjen e institucioneve.
“Sonte u thyen xhamat e Ministrisë së Drejtësisë dhe u dogj zyra e ndihmës juridike falas.
Fatmirësisht, asnjë punonjës nuk është lënduar. Falënderoj zjarrfikësit dhe punonjësit e Policisë që ndërhynë për të mbrojtur jetën e njerëzve dhe për të kufizuar dëmet.
Në atë zyrë vijnë njerëz që nuk kanë mundësi të paguajnë një avokat. Pensionistë, nëna të vetme, të rinj, viktima të dhunës. Njerëz që kërkojnë ndihmë për të mbrojtur të drejtat e tyre.
Dëmin më të rëndë nuk e pëson qeveria. E pësojnë njerëzit që kanë më shumë nevojë për ndihmë.
Djegia e një zyre publike nuk është ushtrim i së drejtës së protestës. Përgjegjësitë individuale u takon t’i përcaktojnë organet kompetente, sipas ligjit.
Por dua të jem po aq i qartë për diçka tjetër. Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të ngrenë zërin dhe të kërkojnë përgjigje për arsimin, punën dhe të ardhmen e tyre. Ata nuk mund dhe nuk duhet të identifikohen me personat që po përdorin dhunë.
Nesër, ndihma juridike falas do të vazhdojë. Qytetarët do të mund ta marrin shërbimin te Hyrja e Ministrisë së Drejtësisë / 0800 10 10.
Zyrën do ta rindërtojmë”, shkruan Toni Gogu./et
