OKB-ja ka propozuar një mekanizëm për të mundësuar kalimin e sigurt të anijeve që transportojnë plehra kimike, i cili mund të vihet në funksion brenda 7 deri në 10 ditësh pas arritjes së një marrëveshjeje mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Jorge Moreira da Silva, nënsekretar i përgjithshëm i OKB-së dhe drejtues i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve, paralajmëroi se marrëveshja duhet të arrihet brenda javëve të ardhshme, për të shmangur humbjen e sezonit të mbjelljeve.
“Është absolutisht thelbësore që marrëveshja të arrihet në javët e ardhshme. Përndryshe, do të humbasim sezonin e mbjelljeve”, deklaroi ai për Reuters në Bangkok, gjatë takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.
Përpara shpërthimit të konfliktit, përmes Ngushticës së Hormuzit kalonte rreth një e treta e tregtisë globale të uresë, një nga plehrat kimike më të përdorura në bujqësi, si dhe pothuajse gjysma e tregtisë detare të squfurit, një lëndë e parë e rëndësishme për prodhimin e plehrave kimike.
Ndërprerja e transportit të këtyre produkteve rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt në prodhimin bujqësor, veçanërisht në vendet që varen nga importet për furnizimin me plehra kimike.
Plani i OKB-së parashikon ngritjen e një qendre koordinimi në Oman, e cila do të merret me regjistrimin e anijeve, verifikimin e ngarkesave dhe organizimin e kalimit të tyre të sigurt përmes ngushticës.
Sipas Moreira da Silva, kalimi i të paktën pesë anijeve në ditë do të ishte i mjaftueshëm për të ruajtur furnizimin me plehra kimike të vendeve që kanë nevojë më urgjente për to.
Zyrtari i OKB-së paralajmëroi se humbja e sezonit të mbjelljeve mund të sjellë një rënie të ndjeshme të produktivitetit bujqësor, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi çmimet e ushqimeve, përfshirë drithërat, kulturat vajore dhe produktet me origjinë shtazore.
Ndërkohë, negociatat mes SHBA-së dhe Iranit vijojnë të pengohen nga mosmarrëveshjet mbi kushtet e një marrëveshjeje dhe programin bërthamor iranian.
Për të shmangur përkeqësimin e situatës, OKB-ja kërkon që mekanizmi për transportin e plehrave kimike të trajtohet paralelisht me negociatat më të gjera për paqen dhe garantimin e lirisë së lundrimit në rajon./ Reuters-ad
