Last Updated on 15/10/2026 by Klara
Në mbledhjen e Këshillit Evropian në Bruksel, liderët po diskutojnë edhe për zgjerimin.
Kryeministri i Irlandës, shtet që mban presidencën e BE-së thekson përparimin në negociatat me Shqipërinë dhe Malin e Zi.
“Veçanërisht për zgjerimin, ne besojmë se kemi bërë shumë përparim. Ne kemi bërë përparim shumë të mirë me Malin e Zi. Duam të bëjmë më shumë përparim sepse në qasjen e bazuar në meritë, Mali i Zi është shumë afër anëtarësimit të plotë në familjen evropiane. Ne gjithashtu po bëjmë përparim me Shqipërinë dhe shtetet e tjera kandidate.Ekziston një detyrim për të gjithë ne brenda BE-së që të mundësojmë që procesi i zgjerimit të ketë sukses. Duhet të përfitojmë nga kjo dritare mundësish që është hapur tani pasi siç e dini shteti i fundit që u anëtarësua në BE ishte në vitin 2013”, tha kryeministri i Irlandës, Micheal Martin.
Përfaqësuesja e BE për politikën e jashtme, Kaja Kallas thekson se çështjet dy palëshe nuk duhet të bëhen pengesë për procesin e zgjerimit.
“Në mbrëmje do të zhvillojmë një diskutim mbi zgjerimin. Është shumë e rëndësishme që procesi të mos mbetet peng i çështjeve dypalëshe. Dua ta shohim procesin e zgjerimit si të tillë, pa këto lloj pengesash, pasi Evropa është një kontinent shumë i vogël. Në fakt, ne na duhet që të jemi më të fortë së bashku me ato shtete kandidate që janë në këtë kontinent dhe duan që të jenë pjesë e BE-së. Të hënën patëm një diskutim me ministrat e jashtëm rreth aspekteve të sigurisë të procesit të zgjerimit dhe impaktit që do të ketë në sigurinë e Bashkimit Evropian anëtarësimi i shteteve kandidate”, tha Kallas.
Në tryezën e liderëve janë edhe propozimet e komisioneres Kos për thjeshtimin e procesit të zgjerimit./k.m
