Last Updated on 16/10/2026 by Monika
Lecce ka fituar një betejë të rëndësishme ligjore jashtë fushës së blertë, pasi Kolegji i Arbitrazhit ka vendosur në favor të tyre në mosmarrëveshjen me lojtarin Lameck Banda.
Trupi gjykues ka pranuar pretendimet e klubit italian lidhur me vlefshmërinë e kontratës deri në qershor 2027 dhe mosparaqitjen e lojtarit në stërvitje më 1 korrik. Për këto shkelje, sulmuesi është ndëshkuar me sanksione të rënda disiplinore që përfshijnë edhe një gjobë të majme prej 256,250 eurosh.
Ky vendim mbyll përfundimisht procedurën e arbitrazhit të parashikuar nga marrëveshja kolektive mes FIGC, Lega Serie A dhe Sindikatës së Lojtarëve. Megjithatë, beteja ligjore nuk përfundon këtu, pasi Lecce ka ngritur një tjetër padi në organet e drejtësisë së FIFA-s kundër lojtarit dhe klubit libian Asswehly, ku ai aktivizohet aktualisht.
Klubi italian kërkon dëmshpërblim financiar për prishjen e njëanshme të kontratës pa shkak të justifikuar dhe sanksione disiplinore për klubin Al-Swehly që dyshohet se nxiti këtë largim.
Zanafilla e këtij konflikti lidhet me vendimin e Lecce-s për të ushtruar klauzolën e rinovimit të njëanshëm deri në 2027, duke i prishur lojtarit transferimin me parametra zero drejt sauditëve të Al-Fateh. Nga ana tjetër, rrethi i lojtarit pretendon se ai u mashtrua për të firmosur një dokument në italisht që nuk e kuptonte, si dhe akuzon klubin italian për mospagim të një muaji rrogë./mxh
