Last Updated on 18/10/2026 by EL
Duke folur për dorëheqjen që protestuesit i kërkojnë apo fjalët se duhet t’i hapë rrugë të rinjve, kryeministri Rama mori në duar një nga gurët e hedhur në bulevard këto ditë duke pyetur se çfarë ndodh nëse ai largohet.
Ai e bëri të qartë se nuk bëhet më fjalë për ambicie, pushtet apo pasuri, por vetëm për aspiratën që Shqipëria të jetë pjesë e BE.
‘Hapi rrugën rinisë.’ Cilës rini? Kësaj? Hapi rrugën kësaj? Le të prezumojmë për një moment që unë i hapa rrugën kësaj. Çfarë vjen pas kësaj? Qetësia, një qeverisje më e mirë, Shqipëri europiane, Shqipëria në BE? Pas kësaj vjen e kaluara që e kemi jetuar dhe ia kemi paguar të gjitha haraçet dhe unë s’kam lejuar t’ia paguajnë edhe asaj që po rriten mes 1001 vështirësive, ku më e madhja është kaosi i rrjeteve sociale, i urrejtjeve, ndasisë, zilisë pse e ka ai dhe jo unë. Ata fëmijë që u futën për të marrë iPhone te Vodafone, janë viktimat e kllounëve që u tregojnë prapanicën në Instagram, që u bëjnë poza dhe të ndihen totalisht të pavlerë sepse nuk kanë iPhone, jo librin.
Të jemi shumë të qartë, nuk është çështja e pushtetit tim. Mund ta kem pasur në krye të herës dëshirën për të takuar të mëdhenjtë e kësaj bote, i kam parë dhe më kanë parë drejt e në sy. Ia kam provuar vetes se mund ta përfaqësoj këtë vend me dinjitetin më të lartë, jo me arrogancë por me krenari. Bëj vetëm udhëtimet e domosdoshme. S’kam më as dëshirë të udhëtoj për këtë pushtet. Pasuri? Ç’t’ju them, është e kotë të flas për të. Në lojë është tryeza e negociatave në BE, kaq e thjeshtë është kjo. Shqiptarët duhet ta mendojnë shumë qartë këtë gjë, duan këtë, apo BE”, tha Rama.
