Last Updated on 19/10/2026 by EL
Selam Islamaj, Nazmi Islamaj dhe Shefqet Islamaj janë tre vëllezërit ndaj të cilëve është qëlluar me armë zjarri mesditën e kësaj të hëne, në Bathore. Ata janë përfshirë në një konflikt me shtetasin Ngushëllim Manzi, fqinj i tyre.
Mësohet se shkak për konfliktin është bërë një mur rrethues i shtëpive të tyre, pasi tre vëllezërit nga Tropoja dhe ushtaraku nga Tirana, banonin pranë njëri-tjetrit.
Mes fqinjëve ka nisur një debat i fortë i cili ka përshkallëzuar në përdorimin e armës së zjarrit. Shtetasi Ngushëllim Manzi, oficerë i Policisë Ushtarake, ka qëlluar drejt tre vëllezërve Selam Islamaj, Nazmi Islamaj dhe Shefqet Islamaj.
Si pasojë, shtetasi Selam Islamaj, rreth 30 vjeç, humbi jetën, ndërsa shtetasit Nazmi Islamaj, 48 vjeç, dhe Shefqet Islamaj, rreth 44 vjeç, u dërguar me urgjencë në spital, të plagosur.
Fatkeqësisht, nga plagët e rënda, 48 vjeçari Nazmi Islamaj ka humbur jetën. Aktualisht, vëllai i tretë, Shefqet Islamaj rreth 44 vjeç vijon të jetë në kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap dhe u arrestua autori i dyshuar i rastit, shtetasi Ngushëllim Manzi, rreth 40 vjeç, punonjës i Policisë Ushtarake. Gjithashtu, u sekuestrua arma e zjarrit (pistoletë), e dyshuar e përdorur për krimin.
Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të saj./et
