Zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani, ka deklaruar se dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur situatën e krijuar pas protestave të dhunshme të studentëve në kryeqytet. Në një intervistë për emisionin “Newsline” në ABC News, Osmani theksoi se e drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por dhuna nuk mund të shërbejë si zgjidhje.
Duke folur për ditët e vështira që ka kaluar komuniteti arsimor, Osmani u shpreh se, si mësuese me 27 vite përvojë, e njeh mirë energjinë e të rinjve. Ajo tha se Ministria e Arsimit mirëkupton shqetësimet e prindërve dhe se komunikimi me ta ka vijuar përmes drejtuesve të shkollave.
“Kanë qenë ditë të vështira, mbi të gjitha si një mësuese. Mendoj që prej 27 vitesh ua njoh mirë energjinë të rinjve. Nuk mendoj se dhuna është një mundësi për të zgjidhur situatën. Dialogu duhet të na shoqërojë këto ditë. Që nga momenti i parë kur pamë të rinjtë, është e drejtë kushtetuese që ata të protestojnë. Mosha e tyre, duhet të jetë në vëmendje të të gjithëve ne sot. Institucioni arsimor, shkolla, është një institucion ku duhet të besohet. I mirëkuptojmë të gjithë prindërit, kemi pritur me qindra mesazhe prej tyre. Kemi komunikuar përmes drejtuesve të shkollës, procesi do vazhdojë, ne garantojmë cilësi. E vështirë, ka kulmuar ditën e premte. Prindërit kanë pasur të drejtën për të mbajtur fëmijët në shtëpi. Kjo situatë do dialog. Dita ditës po shtohen nxënësit që frekuentojnë mësimin. Besojmë se komunikimi do na çojnë drejt zgjidhjes së sigurtë. Ne, në disa prej shkollave nuk ka qenë i frekuentueshëm 100 përqind. Është një proces shumë i rëndësishëm. Ajo që ne po na vendos në emërues të përbashkët, është toleranca, komunikimi, dialogu”, theksoi ajo.
Osmani bëri me dije gjithashtu se është në diskutim një plan masash për të rinjtë, i hartuar në bashkëpunim me mësues dhe psikologë, me synimin për të parandaluar problematikat në sjelljen e adoleshentëve dhe të miturve.
Sipas saj, dezinformimi dhe ndikimi i rrjeteve sociale mund të krijojnë shtrembërime në perceptimin e realitetit, ndaj institucionet duhet të jenë të përgatitura për të adresuar këto problematika.
“Ka një historik të qartë të protestës, të asaj se çfarë studentët kërkojnë. Sigurisht që Ministria e Arsimit ka punuar, por sigurisht që ka vend për të përmirësuar. Duhet që studentët të dëgjohen dhe të plotësohen kërkesat e tyre. Ka nevojë që të diskutohet, ka nevojë që të dialogohet.
Gjatë gjithë këtyre ditëve, por edhe sot ajo që është kërkuar dhe që mendojmë se mund të jetë zgjidhje është dialogu. Adoleshentët, të rinjtë dhe të miturit, dezinformimi i publikut e rrjetet sociale nxisin një shtrembërim dhe një moskuptim të realitetit.
Kanë sjellë problematika në sjellje të të rinjve apo të miturve. Është një plan masash që është në diskutim. Në planin e masave ka edhe një sërë masash që po i diskutojmë jo vetëm me mësues, por edhe me psikologë për të marrë masa për gjeneratën Z. Kemi hartuar një plan, ku do të na duhet të jemi të përgatitur për atë se çfarë duhet të punojmë me nxënësit.
Politikat në arsim bëhen sot dhe mund të ndjehen pas shumë vitesh. Duhet të jemi të përgatitur për të parandaluar. Ne jemi duke pritur bordin e PISA-s, që Shqipëria duhet të ndiqet në vitet e ardhshme. Të gjitha këto janë masa që sjellin ndërmend se dialogu është i hapur dhe se kërkesat e tyre do të dëgjohen. E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese, por dhuna nuk është zgjidhje”, tha Osmani.
Zëvendësministrja nënvizoi se kërkesat e studentëve duhet të dëgjohen dhe se, pavarësisht punës së bërë deri më tani nga Ministria e Arsimit, ekziston hapësirë për përmirësime. Ajo përsëriti se dialogu, komunikimi dhe toleranca mbeten rruga për të kapërcyer situatën, ndërsa theksoi se procesi mësimor po vijon dhe se numri i nxënësve që frekuentojnë shkollat po rritet gradualisht./ad
