Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaron se ndalimi i luftimeve përgjatë vijës aktuale të frontit është rruga më realiste drejt përfundimit të luftës me Rusinë, duke hapur mundësinë për negociata për një armëpushim.
“Për momentin duhet ta ngrijmë vijën e frontit dhe mendoj se kjo është rruga reale për t’i dhënë fund kësaj lufte. Ne e quajmë armëpushim, ngrirje dhe ndalim të luftimeve”, deklaroi Zelenskyy në një intervistë për programin “Fox and Friends” të televizionit amerikan Fox News, të mërkurën.
Ai u pyet nëse do të pranonte një marrëveshje që do të përcaktonte vijën e frontit sipas pozicioneve aktuale të palëve.
Deklaratat e presidentit ukrainas erdhën në një kohë kur i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, zhvilloi bisedime me presidentin rus Vladimir Putin në Shën Petersburg.
Zelenskyy theksoi se Ukraina është e gatshme të negociojë në çdo format, por nënvizoi se vendi i tij duhet të jetë drejtpërdrejt pjesë e çdo procesi që lidhet me të ardhmen e tij.
“Gjithmonë kam thënë se jemi të hapur për negociata në çdo format dhe për çdo temë. Por, ju lutem, mos flisni për ne pa ne”, deklaroi ai.
Kreu i shtetit ukrainas theksoi gjithashtu se çdo marrëveshje duhet të shoqërohet me garanci sigurie nga partnerët e Ukrainës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët europianë.
Sipas tij, këto garanci janë të domosdoshme për të parandaluar përsëritjen e agresionit rus dhe për t’u dhënë ukrainasve sigurinë se pushtimi dhe vrasjet nuk do të rikthehen.
Ndërkohë, një tjetër çështje që ka tensionuar marrëdhëniet mes Kievit dhe Uashingtonit lidhet me shërbimet satelitore të kompanisë SpaceX, të cilat përdoren nga forcat ukrainase në front.
Pak ditë më parë, Kievi akuzoi Uashingtonin se po kufizonte qëllimisht shërbimin Starshield, sistemin e komunikimit satelitor me përdorim ushtarak të operuar nga SpaceX. Ukraina përdor gjithashtu rrjetin Starlink, i cili ofron komunikim satelitor për përdorime civile dhe të tjera.
Zelenskyy deklaroi se të dy shërbimet vijojnë të jenë të kufizuara, por shtoi se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i kishte premtuar se do të punonte me ekipin e tij për të zgjidhur problemin.
“Sekretari Rubio më tha se do të punojë me ekipin e tij për ta zhbllokuar këtë situatë”, tha presidenti ukrainas.
Gazeta “The Wall Street Journal” raportoi të martën se pronari i SpaceX, Elon Musk, kishte urdhëruar personalisht kufizimin e shërbimeve Starshield. Më herët, Musk kishte sugjeruar se çdo kufizim do të ishte vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump, pretendim që ky i fundit e ka mohuar.
