Një blerje marramendëse po tërheq vëmendjen në botën e modës dhe luksit. Sipas raportimeve të medias turke Haberler, një biznesmen turk, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, ka blerë reçipetat ikonike me diamante që Kylie Jenner veshi në sfilatën e Victoria’s Secret, me qëllimin për t’i bërë një dhuratë të veçantë bashkëshortes së tij.
Megjithatë, lajmi ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Victoria’s Secret, ndërsa as emri i personit që pretendohet se i ka blerë ato nuk është bërë i ditur.
Sipas Page Six, krijimi luksoz pritet të rikthehet në butikun e shtëpisë së bizhuterive Jacob & Co. në Nju Jork, ku do të vihet në dispozicion për një blerës privat. Ndryshe nga modelet e mëparshme të Fantasy Bra, të cilat shpesh çmontoheshin për t’u shndërruar në bizhuteri të tjera, këtë herë reçipetat do të ruhen të paprekura për klienten që do t’i blejë.
Vlera e tyre vlerësohet në plot 50 milionë dollarë, duke i bërë Fantasy Bra-n më të shtrenjtë të krijuar ndonjëherë në historinë e Victoria’s Secret. Modeli është realizuar në bashkëpunim me Jacob & Co. dhe përbëhet nga 4 410 diamante, me një diamant të verdhë prej 75.54 karatësh në qendër, që vetëm ai vlerësohet rreth 22 milionë dollarë.
Për realizimin e kësaj vepre luksoze janë angazhuar 15 artizanë, të cilët kanë punuar për më shumë se 1 000 orë. Reçipetat peshojnë rreth 1.8 kilogramë, duke e kthyer krijimin në një prej pjesëve më spektakolare të prezantuara në pistën e modës.
Kylie Jenner i veshi ato më 18 tetor, gjatë debutimit të saj në sfilatën e Victoria’s Secret në Los Angeles. Ajo e kompletoi pamjen me krahë të bardhë me pupla dhe një minifund transparent, duke u bërë një nga figurat më të komentuara të mbrëmjes.
Pas rikthimit të Fantasy Bra në pasarelë për herë të parë që nga viti 2018, vëmendja tashmë është përqendruar te fati i këtij krijimi milionash. Nëse raportimet për blerjen nga biznesmeni turk rezultojnë të vërteta, bashkëshortja e tij mund të bëhet pronarja e një prej pjesëve më të rralla dhe më të kushtueshme të modës./mxh
