Reshjet e shiut që përfshin mbrëmë vendin bën që disa prej rrugëve të Vlorës të përballeshin me prezencë të shtuar të ujit. Situata problematike u konstatua në disa zona të qytetit, përfshirë lagjen “Pavarësia”, zonën pranë “Albano dhe Romina”, bibliotekës “Shefqet Musaraj”, lagjen “Muradie”, zonën historike, lagjen “28 Nëntori” dhe bulevardin “Ismail Qemali”.
Në disa prej këtyre akseve, niveli i ujit arriti deri në 40 centimetra, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve.
Një nga problematikat kryesore lidhet me hidrovorin e qytetit, i cili, për shkak të punimeve të restaurimit, nuk po funksionon me të katër pompat. Kjo situatë ngre pikëpyetje mbi kapacitetin e sistemit për të përballuar largimin e ujërave gjatë reshjeve.
Ndërkohë, mungesa e pastrimit të kanalizimeve mbetet një tjetër shqetësim, pasi bllokimi i tyre mund të pengojë largimin normal të ujit nga rrugët.
Edhe pse bëhet fjalë për reshjet e para të vjeshtës dhe një kohëzgjatje prej vetëm 20 minutash, problematikat janë shfaqur në disa zona të Vlorës. Situata rikthen vëmendjen te nevoja për masa konkrete për përmirësimin e sistemit të kullimit dhe garantimin e funksionimit të infrastrukturës përpara reshjeve më intensive të sezonit.
