Last Updated on 22/10/2026 by Monika
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i dha fund një konflikti të nisur 20 vjet më parë mes gjyqtarëve dhe shtetit në Rumani.
Në një vendim të marrë më 13 tetor dhe të publikuar këtë të enjte, më 22 tetor, Gjykata e Strasburgut rrëzoi kërkesat e pesë gjyqtarëve dhe ish-gjyqtarëve rumunë, të cilët kishin paditur shtetin për mosshlyerjen e plotë të detyrimeve financiare që u ishin njohur me vendime gjyqësore.
Gjyqtarët i kishin fituar proceset në gjykatat rumune dhe shumat që ata pretendonin se nuk u ishin paguar, pasi argumentonin se ishin diskriminuar në paga me kategori të tjera gjyqtarësh, prokurorësh dhe nëpunësish publikë, varionin nga 30 mijë deri në afro 572 mijë euro për person.
Por qeveria rumune, për shkak të kostos së lartë për buxhetin e shtetit, kishte vendosur që detyrimet të shlyheshin me këste, duke i shtyrë pagesat në disa vite.
Pesë gjyqtarët iu drejtuan Strasburgut. Por Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut nuk i pranoi pretendimet e tyre.
Në vendimin unanim, 7 gjyqtarët e Strasburgut arritën në përfundimin se vonesat në pagesa nuk përbënin, në rrethanat konkrete, shkelje të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Një pjesë e rëndësishme e vendimit lidhet me konfliktin e mundshëm të interesit të gjyqtarëve. Gjykata Europiane vëren se kur gjyqtarët marrin vendime për pagat, nga të cilat mund të përfitojnë edhe vetë, krijohet rreziku i konfliktit të interesit, pasi interesat e tyre personale financiare mund të ndikojnë në paanshmërinë e vendimmarrjes.
Sipas Strasburgut, në raste të tilla, gjykatat mund të krijojnë edhe përshtypjen se po dalin përtej rolit të tyre tradicional të interpretimit dhe zbatimit të ligjit.
Gjykata thekson gjithashtu se përcaktimi i prioriteteve të shpenzimeve publike dhe shpërndarja e fondeve buxhetore janë kompetenca të qeverisë dhe parlamentit, jo të gjykatave. Për këtë arsye, gjykatat nuk duhet të zëvendësojnë institucionet përgjegjëse për hartimin e politikave ekonomike dhe financiare të shtetit.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Europiane mori parasysh edhe faktin se pagat dhe pensionet e gjyqtarëve dhe prokurorëve rumunë ishin ndjeshëm më të larta se mesatarja kombëtare.
Sipas Strasburgut, vonesat në pagesa nuk i kishin vendosur pesë ankuesit në një situatë që rrezikonte jetesën e tyre dhe nuk u kishin shkaktuar një barrë të tepruar për ta.
Në përfundim, Gjykata e Strasburgut i shpalli unanimisht të pesë kërkesat të papranueshme, si haptazi të pabazuara./mxh
