Last Updated on 22/10/2026 by Monika
Kongresmeni amerikan, Mike Lawler ka bërë një reagim lidhur me protestat studentore që po zhvillohen prej 10 ditësh në Tiranë dhe disa qytete të vendit. Në postimin e tij në platformën “X”, Lawler shkruan se qëndron në krah të popullit shqiptar.
Po ashtu shton se çdo qeveri, në veçanti ato të vendeve demokratike dhe aleatët e NATO-s, duhet të respektojnë të drejtën e qytetarëve të saj për të protestuar në mënyrë paqësore dhe për të shprehur pikëpamjet e tyre.
Ai po ashtu i bën thirrje qeverisë “të ulë menjëherë tensionet dhe t’i japë fund përdorimit të forcës kundër protestuesve paqësorë”.
Postimi i plotë:
Kam dëgjuar nga zgjedhësit e mi shqiptaro-amerikanë në distriktin NY-17, të cilët janë thellësisht të shqetësuar për protestat që po zhvillohen në Shqipëri dhe për atë që kjo do të thotë për të ardhmen e demokracisë në vend.
Unë qëndroj në krah të zgjedhësve të mi dhe të popullit shqiptar.
Çdo qeveri, veçanërisht qeveritë e vendeve demokratike dhe aleatët e NATO-s, duhet të respektojë të drejtën e qytetarëve të saj për të protestuar në mënyrë paqësore dhe për të shprehur pikëpamjet e tyre.
I bëj thirrje qeverisë shqiptare të ulë menjëherë tensionet dhe t’i japë fund përdorimit të forcës kundër protestuesve paqësorë./mxh
