Ukraina njoftoi të shtunën se sistemi satelitor Starlink dhe versioni i tij ushtarak, Starshield, po funksiononin sërish me shpejtësi të lartë, pas më shumë se një jave kufizimesh që penguan operacionet ushtarake dhe përshkallëzuan tensionet me SHBA-të, shkruan Reuters.
Problemet me sistemet në pronësi të SpaceX të Elon Musk u shfaqën pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi një marrëveshje për blerjen e naftës ruse, duke i bërë presion Kievit që të ndalonte sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës.
Zyrtarët ukrainas thanë se kufizimet penguan aftësinë e ushtrisë për të kapur dronët sulmues rusë dhe çuan në anulimin e disa operacioneve.
“Sistemet e monitorimit të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës po regjistrojnë zyrtarisht rikthimin e shpejtësive të funksionimit të Starlink/Starshield,” njoftoi ministria në aplikacionin Telegram.
“Lidhja mbetet e qëndrueshme në shpejtësi që tejkalojnë 400 km në orë,” shtoi ajo.
Ushtria ukrainase nuk i bën të ditura shpejtësitë maksimale të funksionimit të sistemeve, dhe Ministria e Mbrojtjes nuk saktësoi nëse shërbimi është rikthyer plotësisht. Kur ishin në fuqi kufizimet, Ukraina hasi vështirësi në përpjekjen për të operuar me shpejtësi mbi 160 km në orë.
Ukraina nuk mbështetet te këto sisteme për operacione me dronë me rreze të gjatë në territorin rus, por Starlink është jetik për komunikimet në vijën e frontit, ndërsa Starshield përdoret për operacione ushtarake në territoret e pushtuara.
Kufizimet shkaktuan zemërim në Ukrainë, veçanërisht pasi ato përkuan me ndërprerje të paralajmërimeve nga aleatët lidhur me sulmet e afërta me raketa ruse. Më vonë, Kievi deklaroi se vazhdonte të merrte informacione të inteligjencës nga SHBA-ja.
As Musk dhe as qeveria amerikane nuk kanë marrë përsipër përgjegjësinë për kufizimin e Starlink-ut apo Starshield-it në Ukrainë. Të dyja palët kanë deklaruar publikisht se një vendim i tillë mund të jetë marrë vetëm nga pala tjetër.
Agjencia Reuters ka raportuar se urdhri për të kufizuar funksionimin e Starshield-it erdhi nga brenda Shtëpisë së Bardhë. Sipas burimeve, administrata të mëparshme amerikane i kishin kërkuar disa herë kompanisë SpaceX që të aktivizonte ose çaktivizonte Starlink-un në vende të ndryshme.
Të premten, Trump tha se nëse problemet vazhdonin, ai do t’i “rregullonte ato”./mxh
