Dhjetëra protestues janë plagosur dhe disa persona janë arrestuar pasi policia ndërhyri gjatë natës për të shpërndarë kampet e ngritura në shenjë proteste kundër rritjes së çmimeve të banesave në Lisbonë dhe Porto të Portugalisë.
Përplasjet mes policisë dhe protestuesve që kërkojnë strehim të përballueshëm u përshkallëzuan gjatë orëve të para të së dielës. Forcat e rendit përdorën shkopinj gome për të shpërndarë demonstruesit dhe për të hequr çadrat e vendosura në sheshet e dy qyteteve.
Gjatë protestave, demonstruesit brohoritën “Kjo mban erë diktature”, duke kundërshtuar mënyrën se si policia po ndërhynte për të shpërndarë kampet.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, policia njoftoi se kishte ndërhyrë në orët e para të mëngjesit për t’i dhënë fund kampeve të paligjshme.
“Pas përfundimit të dialogut, operacioni çoi në 31 arrestime për mosbindje”, deklaruan autoritetet policore.
Ndërkohë, një zëdhënëse e kampit të protestuesve në Porto i tha agjencisë portugeze të lajmeve Lusa se 37 persona kishin pësuar lëndime të lehta dhe dy persona ishin arrestuar.
Operacioni për largimin e çadrave nisi rreth orës 01:00 në të dy qytetet. Protestuesit kishin vënë re më herët atë që e cilësuan si përforcim joproporcional të forcave të policisë, ndërsa në sheshe ishin vendosur edhe njësi me qen policie.
“Pashë të paktën 20 qen të njësive të kontrollit të turmave, dukshëm të shqetësuar, si dhe një numër armësh të drejtuara nga ne. Nëse kjo nuk është frikësuese dhe serioze, atëherë nuk e di çfarë është”, deklaroi protestuesja Catarina Santos për agjencinë Lusa.
Pak para orës 02:00, policia rrethoi të dy sheshet dhe nisi ndërhyrjen ndaj demonstruesve, të cilët ishin rreshtuar në një zinxhir njerëzor për të penguar largimin e çadrave.
Gjatë ndërhyrjes u përdorën shkopinj gome, ndërsa shpërthimi i fishekzjarrëve shkaktoi konfuzion në zonë. Në sheshin Praça D. João I, disa qytetarë të pranishëm kritikuan sjelljen e policisë dhe nisën të këndonin këngën “Grândola, Vila Morena”, e lidhur me Revolucionin e 25 Prillit 1974, që i dha fund dekadave të diktaturës në Portugali.
Operacioni për largimin e kampeve përfundoi shpejt. Autoritetet hoqën çadrat, ndërsa protestuesit u shpërndanë drejt shesheve përreth. Megjithatë, organizatorët deklaruan se do të rikthehen për të vazhduar protestat.
Protestuesit kërkojnë kufizimin e qirave dhe ndryshimin e ligjit për strehimin
Lëvizjet protestuese në Lisbonë dhe Porto kërkojnë ndryshime në politikat e strehimit, përfshirë rishikimin e ligjit të qirave, ndalimin e dëbimeve të personave që nuk kanë një alternativë tjetër strehimi dhe vendosjen e kufizimeve për blerjen e pronave nga fondet e investimeve në pasuri të paluajtshme.
Ata kërkojnë gjithashtu rikonstruksionin dhe vënien në përdorim të ndërtesave të pabanuara, si dhe vendosjen e një tavani për çmimet e qirave.
Një ditë më parë, mijëra qytetarë kishin marrë pjesë në demonstrata paqësore, duke akuzuar qeverinë se nuk po ndërmerr masa të mjaftueshme për të përballuar krizën e strehimit në Portugali.
Rritja e çmimeve të banesave dhe e qirave është kthyer në një shqetësim të madh për qytetarët, të cilët kërkojnë politika që garantojnë akses më të lehtë në strehim të përballueshëm.
