Stuhia “Boelo” ka shkaktuar ndërprerje të ndjeshme në trafikun ajror në Holandë, duke detyruar aeroportin Schiphol të Amsterdamit të anulojë dhjetëra fluturime dhe të paralajmërojë pasagjerët për vonesa të mundshme.
Sipas raportimeve të mediave holandeze, përfshirë NOS dhe Weeronline, erërat e forta perëndimore kanë kufizuar përdorimin e pistave të ngritjes dhe uljes, duke ulur numrin e avionëve që mund të operojnë normalisht.
Të dhënat e publikuara më 25 tetor tregonin se rreth 90 fluturime në nisje ishin anuluar, kryesisht drejt destinacioneve evropiane. Mes kompanive ajrore të prekura janë KLM, easyJet dhe Lufthansa. Probleme janë raportuar edhe me fluturimet që duhej të mbërrinin në Amsterdam, ku janë regjistruar anulime dhe vonesa.
Autoritetet e aeroportit kanë këshilluar udhëtarët të kontrollojnë statusin e fluturimeve përpara se të nisen drejt aeroportit, ndërsa kompanitë ajrore po përshtatin oraret sipas kushteve atmosferike.
Pasojat e stuhisë nuk janë kufizuar vetëm në aviacion. Sipas mediave holandeze, erërat e forta kanë rrëzuar pemë në disa zona të vendit. Një pemë ra mbi shinat hekurudhore mes Lochem dhe Goor, duke ndërprerë përkohësisht qarkullimin e trenave, ndërsa në Amsterdam-Noord një pemë goditi një automjet në lëvizje. Drejtuesi i automjetit nuk pësoi lëndime.
Instituti Meteorologjik i Holandës kishte lëshuar gjithashtu paralajmërim të verdhë për erëra të forta në zonat bregdetare, ku shpejtësia e rafaleve pritej të arrinte 75–90 kilometra në orë, me mundësi për vlera edhe më të larta në disa zona./ad
