Aleksandar Vuçiç pranoi humbjen në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, duke thënë se pret që Lista Studentore të sigurojë shumicën në parlamentin e ri.
Sipas vlerësimeve paraprake të CRTA-s, Lista Studentore kryeson me 51,47 për qind të votave, kundrejt 40,42 për qind për listën “Aleksandar Vuçiç – Serbia e Bashkuar”. Këto nuk janë rezultate përfundimtare zyrtare.
Lista Studentore doli nga lëvizja e protestave studentore kundër korrupsionit, të nisura pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad më 2024, ku humbën jetën 16 persona. Ajo nuk ka një udhëheqës të vetëm: studentët organizohen përmes plenumeve, ku vendimet merren kolektivisht, ndërsa për zgjedhjet mbështetën një listë kandidatësh nga fusha të ndryshme profesionale dhe shoqërore.
Por, çfarë planifikon Lista Studentore për Kosovën?
Gjatë fushatës, kandidatët e Listës Studentore u shprehën për rishqyrtimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, rikthimin e çështjes së statusit të saj në Kombet e Bashkuara dhe marrjen e vendimeve vetëm pas konsultimeve me serbët e Kosovës. Mbetet të shihet nëse do t’u qëndrojnë këtyre qëndrimeve edhe pas zgjedhjeve.
Në qëndrimet publike në Serbi, të cilat Radio Evropa e Lirë i analizoi para zgjedhjeve të së dielës, qëndrimi i përbashkët i kësaj lëvizjeje politike, të dalë nga protestat studentore kundër korrupsionit, është: “Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë, siç shkruan në Kushtetutën e vendit”.
Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje mbanin simbolikisht me vete Kushtetutën e Serbisë gjatë fushatës, me mesazhin se do ta mbronin dhe se do të vepronin vetëm në përputhje me të.
Beogradi zyrtar nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, por negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, zhvillohen që nga viti 2011. Në këtë kuadër janë arritur dhjetëra marrëveshje, për të cilat shumë analistë politikë thonë se përbëjnë njohje “de facto” të pavarësisë së Kosovës.
Një nga marrëveshjet e fundit, të pranuara në nivel politik nga Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç, është Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e njohur edhe si Marrëveshja Bazë, e dakordësuar më 27 shkurt 2023 në Bruksel, pas propozimit franko-gjerman.
Ajo parashikon respektimin e integritetit territorial dhe zotimin e Serbisë që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Aneksi për zbatimin e saj u dakordua më 18 mars 2023 në Ohër dhe njihet si Aneksi i Ohrit. Kosova, nga ana tjetër, pranoi detyrimin që t’u sigurojë serbëve të Kosovës një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit, përkatësisht ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Çfarë pritet të ndodhë tani?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kushtëzon vazhdimin e dialogut në nivel të lartë politik me ekstradimin nga Serbia të Millan Radoiçi, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë. Lista Studentore, e cila mund të përcaktojë politikën shtetërore të Serbisë gjatë katër vjetëve të ardhshëm, deri më tani nuk ka shprehur qëndrim të qartë për këtë çështje. /ad
