Last Updated on 26/10/2026 by Anisa
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula këtë të hënë ka dalë me një reagim lidhur me vrasjen e një gruaje në Vitomiricë të Pejës. Në reagimin e saj, Pula ka kërkuar hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për rastin.
Presidentja theksoi se duhet të hetohet edhe mënyra se si janë trajtuar kërkesat e viktimës dhe veprimet e institucioneve që kishin për detyrë ta mbronin atë. Është raportuar se viktima, tre ditë para vrasjes përmes një letre i është drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë së Pejës, përmes së cilës ka shprehur pakënaqësinë me zyrtarët të cilët po trajnonin rastin e saj.
“Duhet të sqarohet nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e saj”, ka theksuar presidentja.
Presidentja u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë me urgjencë, profesionalizëm dhe paanshmëri, në mënyrë që të gjitha rrethanat e rastit të zbardhen dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
“Siguria dhe dinjiteti i çdo gruaje duhet të trajtohen si përgjegjësi themelore institucionale, ndaj çdo dyshim për dështim në përmbushjen e kësaj përgjegjësie duhet të marrë përgjigje të qartë”, shtoi ajo.
“Mbrojtja e jetës së grave është detyrim i panegociueshëm, ndaj nuk ka kompromis kur ajo vihet në rrezik”, theksoi Pula. /ad
