Last Updated on 26/10/2026 by Anisa
Kryeprokurori i Shtetit në Kosovë kërkoi raport të detajuar dhe analizë për të parë “nëse kishte lëshime dhe përgjegjësi institucionale apo individuale”, në lidhje me rastin e vrasjes së Arlinda Zekës në Pejë, mbrëmjen e 25 tetorit.
Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj rreth orës 21. Ndërsa disa orë më parë kishte raportuar dhunën në famillje dhe ish-bashkëshorti i saj ishte ndaluar nga Policia.
Policia tha se “viktima, me vullnetin e saj, është dërguar në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë”.
Policia dyshon se vdekja është shkaktuar nga goditjet me një mjet të fortë. Kunati i saj, i dyshuar për vrasjen, ndodhet në arrati.
Të paktën 67 gra janë vrarë në Kosovë që nga viti 2010. Në shumicën e rasteve, autorë të vrasjeve ishin bashkëshortët.
Në lidhje me vrasjen pati reagime përfshirë nga Presidentja e Kosovës Shiroka Pula e cila kërkoi “hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për vrasjen”.
“Duhet të sqarohet nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e saj”, tha ajo.
Viktima ishte ankuar për dështime institucionale tri ditë para vrasjes
Sipas informatave zyrtare, Arlinda Zekaj kishte kërkuar veprime urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse tri ditë para se të vritej.
Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi më 26 tetor se kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj kishte pranuar një parashtresë nga viktima më 22 tetor, me pretendime për dështime në trajtimin e rasteve të saj, përfshirë ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.
Sipas Prokurorisë, parashtresa ishte regjistruar për trajtim nga prokurori kompetent, për të vlerësuar nëse kishte përgjegjësi penale për veprën “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ajo u ishte përcjellë për shqyrtim urgjent edhe Policisë rajonale, Gjykatës Themelore, Drejtorisë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrës për Punë Sociale.
Vendimi gjyqësor, për të cilin viktima kishte kërkuar ekzekutim, sipas Prokurorisë, lidhej me shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë me ish-bashkëshortin. Prokuroria tha se “ekzekutimi i këtij vendimi është mundësuar nga prokurorja kujdestare, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës”.
Ndërkohë, Kryeprokurori i Shtetit autorizoi koordinatorin nacional për rastet e dhunës në familje që të analizojë të gjitha veprimet e ndërmarra në trajtimin e rasteve ku Zekaj kishte qenë viktimë.
Nga kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj, është kërkuar raport i detajuar për kronologjinë e rasteve, prokurorët që i trajtuan, vendimet dhe veprimet e ndërmarra… duke përfshirë edhe trajtimin e parashtresës së 22 tetorit.
Inspektoratit Policor të Kosovës i është kërkuar të hetojë dhe verifikojë mënyrën se si policia i kishte trajtuar raportimet e Zekajt.
Kosova ndryshoi legjislacionin më 2023 për t’u dhënë përparësi hetimit dhe gjykimit të rasteve të dhunës në familje, ndërsa në dhjetor 2024 lansoi sistemin e mbikëqyrjes elektronike, që synon edhe mbrojtjen e viktimave.
Megjithatë, përfaqësuese të organizatave për drejtësi dhe të drejtat e grave i thanë REL-it në gusht se sfidë mbeten monitorimi i rasteve të raportuara, reagimi ndaj rrezikut dhe zbatimi i masave mbrojtëse.
Ato kërkuan edhe llogaridhënie institucionale në rastet kur gratë vriten pasi kanë kërkuar ndihmë./ad
