Last Updated on 26/10/2026 by Monika
Anthropic paralajmëroi se inteligjenca artificiale mund të sjellë “rreziqe katastrofike ose ekzistenciale për njerëzimin”, nëse nuk zhvillohet, përdoret dhe operohet me masa të përshtatshme mbrojtëse, mbikëqyrje dhe siguri.
Kompania amerikane Anthropic i dha publikut të hënën një pasqyrë të financave të saj, pasi dorëzoi dokumentacionin S-1 në kuadër të përgatitjeve për ofertën fillestare publike (IPO), përmes së cilës synon të dalë në bursë.
Kompania e inteligjencës artificiale bëri të ditura të ardhurat në rritje të shpejtë dhe kostot e larta, ndërsa paralajmëroi për rreziqet që paraqet kjo teknologji.
Dalja e saj në bursë pritet të shërbejë si një tregues i rëndësishëm i interesit të investitorëve për një industri gjithnjë e më të debatueshme, e cila është integruar me shpejtësi në jetën e përditshme.
Sipas dokumenteve të dorëzuara, humbjet neto të Anthropic arritën në 80,7 miliardë dollarë gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, ndërsa të ardhurat u rritën në rreth 16,3 miliardë dollarë për të njëjtën periudhë.
Sipas gazetës The Wall Street Journal, duke cituar persona të njohur me çështjen, oferta fillestare publike mund t’i sigurojë kompanisë që qëndron pas chatbot-it Claude deri në 100 miliardë dollarë, ndërsa vlera e saj mund të kalojë 1,5 trilion dollarë. Në maj, Anthropic vlerësohej në 965 miliardë dollarë.
“Ne besojmë se inteligjenca artificiale është një nga teknologjitë me ndikimin më të madh në historinë e njerëzimit”, deklaroi kompania në dokumentin S-1.
“Nëse menaxhohet siç duhet, ajo mund të përshpejtojë ndjeshëm inovacionin shkencor, të rrisë ndjeshëm ritmet e rritjes ekonomike, të afrojë mundësinë e gjetjes së kurave për sëmundje të rënda dhe të zgjidhë probleme që u kanë rezistuar përpjekjeve njerëzore për breza të tërë”, thuhet në dokument.
Megjithatë, Anthropic paralajmëroi edhe për rreziqet që mund të sjellë teknologjia e saj. Kompania theksoi se inteligjenca artificiale mund të shkaktojë “rreziqe katastrofike ose ekzistenciale për njerëzimin”, nëse nuk zhvillohet, vendoset në përdorim dhe operohet me masa të përshtatshme mbrojtëse, mbikëqyrje dhe siguri.
“Klima politike, angazhimi ynë me politikëbërësit dhe qëndrimet tona publike për rregullimin dhe sigurinë e inteligjencës artificiale mund të na ekspozojnë ndaj një shqyrtimi më të rreptë, reagimeve negative politike ose masave rregullatore joproporcionale”, shtoi kompania.
Gary Marcus, profesor emeritus në Universitetin e Nju Jorkut dhe një kritik i vendosur i industrisë së inteligjencës artificiale, akuzoi Anthropic se po përpiqet të “fshehë të vërtetën” në dokumentacionin e saj, duke lënë jashtë disa shifra.
“Anthropic e la jashtë tremujorin e tretë në dokumentin e saj S-1. Ky përjashtim tregon gjithçka që duhet të dini. Kërkesa ka rënë, ekonomia e biznesit nuk është përkeqësuar. Dhe një kompani që pretendohet se është ndërtuar mbi besimin po përpiqet të fshehë të vërtetën”, shkroi ai në një postim në rrjetin social X.
Sipas raportimeve, Anthropic u kishte bërë të ditur investitorëve në fillim të këtij muaji se të ardhurat për tremujorin e tretë kishin arritur në 16,8 miliardë dollarë, nga 11,6 miliardë dollarë në tremujorin e dytë./MXH
