Partia Liberale e Brazilit ka njohur zyrtarisht rizgjedhjen e Luiz Inácio Lula da Silvës në presidencë, por senatori konservator Flavio Bolsonaro nuk e ka pranuar ende zyrtarisht humbjen dhe synon ta kundërshtojë kandidaturën e presidentit në gjykatë.
Në një deklaratë të publikuar të hënën, më 26 tetor, një ditë pas raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, Partia Liberale pranoi rezultatin e shpallur nga Gjykata e Lartë Zgjedhore e Brazilit.
“Ne njohim rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të shpallur nga Gjykata e Lartë Zgjedhore”, thuhet në deklaratën e partisë.
Megjithatë, PL kërkoi sqarime lidhur me përfitimet sociale dhe ndihmat financiare të miratuara nga Lula gjatë fushatës zgjedhore, duke ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e disa masave qeveritare të ndërmarra para votimit. Nga ana e tij, Flávio Bolsonaro duket se ka ndryshuar qasjen ndaj kundërshtimit të rezultatit zgjedhor.
Pas shpalljes së humbjes të dielën, ai kishte deklaruar se do të kërkonte anulimin e raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale. Megjithatë, në deklaratat e mëvonshme, Bolsonaro la të kuptohej se do të hiqte dorë nga kjo kërkesë, duke zgjedhur të kundërshtojë ligjërisht kandidaturën e presidentit të rizgjedhur.
Ai njoftoi se do t’i drejtohet drejtësisë braziliane me kërkesën për anulimin e kandidaturës së Lulës, duke pretenduar se gjatë procesit zgjedhor ka pasur “abuzim me pushtetin ekonomik dhe politik”. Deri më tani, këto pretendime përfaqësojnë akuza të ngritura nga kandidati i mundur dhe nuk përbëjnë shkelje të provuara.
Pavarësisht njohjes zyrtare të rezultatit nga Partia Liberale, kundërshtimi i Flavio Bolsonaros tregon se përplasja politike me kampin e Lulës pritet të vijojë edhe pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Strategjia e re ligjore synon të vërë në pikëpyetje ligjshmërinë e kandidaturës së presidentit të rizgjedhur, në vend që të kërkojë drejtpërdrejt anulimin e votimit. Mbetet për t’u parë nëse drejtësia braziliane do t’i marrë në shqyrtim pretendimet e Bolsonaros dhe çfarë pasojash mund të ketë kjo për zhvillimet e mëtejshme politike në vend./k.m
