Last Updated on 27/10/2026 by Anisa
Deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, ka reaguar me tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur zhvillimin e situatës politike në Serbi me marrëdhëniet e tij të mëparshme me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
Në një reagim, Boçi rikthen në vëmendje nismën “Ballkani i Hapur”, të cilën e përshkruan si një projekt që, sipas tij, shërbeu për të forcuar bashkëpunimin mes dy liderëve, ndërsa akuzon Ramën dhe Vuçiçin se e përdorën atë për interesa politike.
“TANGOJA MBAROI, BALLKANI PO HAPET, RAMA DO KAPET
Për vite me radhë, Druzhe Edi Rama dhe Druzhe Aleksandër Vuçiç hodhën tangon e tyre të shpifur në Ballkan.
Njëri hidhte hapin nga Tirana, tjetri nga Beogradi.
Njëri fliste për bashkëpunim, tjetri për miqësi historike. Njëri ia ngrite topin, tjetri e gjuante. Njëri bëhesh patriot, tjetri nacionalist dhe të dy përpiqeshin ta bindnin publikun se, po t’i lije vetëm ata, rajoni do të hynte në një luftë të pashmangshme.
Tangoja e tyre nuk ishte një kërcim i zakonshëm.
Kishte shumë kamera, shumë buzëqeshje dhe shumë deklarata për të ardhmen. U lidhën dhe me një emër impresionues, “Ballkani i Hapur”.
Në skenë dukej si projekt për qytetarët por në prapaskenë ishte një klub autokratësh që u premtonin popujve se mjaftonte të besonin te udhëheqsia e tyre.
Por tangoja mbaroi.
Sepse qytetarët e të dyja anëve të tangos kishin vendosur prej kohësh të mos duartrokisnin më.
E në këtë pikë as muzika e as pushteti nuk mjaftojnë. As skena, as kostumi, as orkestrimi mediatik.
Në fund, tangistët do rrëzohen si Vuçiç në skenë.
Vuçiç vetëm u rrëzua.
Këtë tangistin tonë e pret burgu, se turpin e historisë e ka në ballë tashmë!”/ad
