Noah Wyle është shpallur “Mashkulli më seksi në botë” për vitin 2026 nga revista PEOPLE, duke marrë një nga titujt më të komentuar në botën e showbiz-it. Aktori 55-vjeçar, i cili ka fituar sërish vëmendjen e publikut me rolin e doktor Robby në serialin “The Pitt”, pranoi se lajmi e kishte zënë krejtësisht të papërgatitur.
“Mendova se ishte një shaka. As në një milion vjet nuk e kisha imagjinuar se do të më jepej një nder i tillë”, u shpreh Wyle, duke treguar se fillimisht nuk e kishte besuar lajmin.
Me humor, aktori shtoi se shpresonte që ky vlerësim t’ia ndryshonte jetën, përpara se të pranonte se çmimi do t’i sillte kryesisht ngacmime nga miqtë dhe familjarët.
Për Wyle, ky titull vjen pas një karriere të gjatë në televizion, që nisi të fitonte vëmendje të madhe në vitin 1994, kur interpretoi doktor John Carter në serialin e famshëm mjekësor “ER”. Më shumë se tri dekada më vonë, ai është rikthyer në qendër të vëmendjes me “The Pitt”, ku luan Michael “Robby” Robinavitch, një mjek në një spital të Pitsburgut, i cili përballet çdo ditë me situata të vështira profesionale dhe personale.
Seriali ka rezultuar një sukses për aktorin, i cili ka fituar dy çmime Emmy radhazi në kategorinë e aktorit më të mirë kryesor në një serial dramatik. Sezoni i tretë i “The Pitt” pritet të shfaqet në janar të vitit 2027.
Megjithëse publiku e ka kthyer në një nga emrat më të komentuar, Wyle ka pranuar se nuk ndihet gjithmonë rehat me vëmendjen që merr për pamjen e tij. Ai preferon të fshihet pas personazheve që interpreton dhe e ka më të vështirë të shfaqet para publikut si vetvetja, pa një skenar.
“Më pëlqen të futem në lëkurën e njerëzve të tjerë. Më pëlqen të interpretoj personazhe. Bëhem i vetëdijshëm për veten dhe ndihem në siklet. Është ende ndër ndërveprimet më të vështira për mua të flas pa një skenar, si vetvetja”, ka treguar ai.
Por, nëse vetë aktori e priti me habi këtë vlerësim, bashkëshortja e tij, Sara Wells, duket se nuk kishte asnjë dyshim. Sipas Wyle, ajo ishte e kënaqur që ky titull reflektonte edhe shijen e saj në zgjedhjen e partnerit.
Ajo e sheh bashkëshortin si një njeri të mirë, një baba të përkushtuar dhe një partner që meriton të vlerësohet edhe përtej suksesit profesional. Gjatë një seti fotografik për PEOPLE, Sara e shoqëroi aktorin së bashku me vajzën e tyre 11-vjeçare, Frances, dhe qenin e familjes.
Madje, Wyle tregoi se në shtëpi kujdeset edhe për punët e përditshme, nga përgatitja e vezëve të preferuara të vajzës së tij, te pastrimi i kuzhinës dhe palosja e rrobave.
Reagimi i fëmijëve, nga ana tjetër, ishte disi më ndryshe. Djali i tij, Owen, e mori lajmin me prakticitet, duke i thënë se ky titull do t’ia vështirësonte jetën, por se ishte gjithsesi diçka e bukur. Vajza e madhe, Auden, nuk e besonte lajmin dhe, sipas aktorit, me siguri do ta ngacmojë për këtë për 50 vitet e ardhshme.
Noah Wyle ka tre fëmijë: Owen dhe Auden nga martesa e mëparshme me Tracy Warbin, si dhe Frances nga martesa me Sara Wells.
Edhe pse për shumëkënd ky titull mund të duket si një vlerësim që i erdhi me vonesë, për aktorin është një tjetër moment i rëndësishëm në një karrierë që ka njohur një tjetër kulm falë “The Pitt”. Pas viteve si doktor Carter në “ER”, Wyle duket se ka arritur të fitojë një brez të ri fansash, këtë herë si doktor Robby./mxh
