Last Updated on 27/10/2026 by EL
Është caktuar një muaj paraburgim për ish-burrin e Arlinda Zekajt, 49-vjeçarja e cila u vra nga kunati i saj në Pejë. Sipas mediave vendase mësohet se Gjykata e Pejës ka caktuar sot masën e sigurisë një muaj paraburgim për Jeton Sylajn, i cili akuzohet për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.
“Masa e paraburgimit llogaritet nga data 25.10.2026, në ora 20:00, deri me 24.11.2026, në ora 20:00”, thuhet në komunikatën e gjykatës.
Nga hetimet e bëra në sajë të zbardhjes së vdekjes së Arlinda Zekajt, autori i vrasjes që dyshohet të jetë kunati i saj që ende është në arrati, del në pah se Jeton Sylaj ka të hapura gjithsej gjashtë raste penale, prej të cilave katër datojnë vetëm gjatë vitit 2026.
Siç kemi raportuar dhe më parë, vetë Arlinda e cila ishte pre e dhunës nga Jetoni ka denoncuar shumë herë në Polici këtë të fundin, mirëpo institucionet nuk u vunë në lëvizje duke mos marrë masa për të. Dy orë pasi kërkoi urdhër-mbrojtje në Polici, Arlinda u gjet e pajetë në shtëpinë e saj, për të cilën dyshohet se autori i vrasjes është kunati i saj.
Mes lotësh e një dhimbje të pashërueshme, të afërm, miq e familjarë i kanë dhënë pasditen e sotme lamtumirën e fundit Arlindës, ndërsa momenti më prekës ishte prani e djalit të saj të mitur. Në pamjet e publikuara nga mediat vendase, 12-vjeçari u pa duke u lutur sipër arkëmortit të të ëmës, e ndërsa lutej, familjarët me lot në sy e përqafonin.
Pas mbylljes së ceremonisë mortore të Arlindës, raportohet se djali 12-vjeçar është dërguar në një strehimore në Pejë. Xhaxhai i këtij të fundit që i vrau nënën është ende në kërkim, ndërsa babai i tij u dënua me një muaj burg./et
