Pas modelit Peralta S, projektuesi Fabrizio Giugiaro dhe studioja italiane GFG Style kanë prezantuar Peralta D, një kupé Gran Turismo me konfigurim 2+2, e cila dallohet për karrocerinë e punuar tërësisht nga bakri. Makina u prezantua më 24 tetor, në aktivitetin Pastejé Automotive Invitational 2026 në Meksikë, dhe është krijuar si një model unik për sipërmarrësin dhe koleksionistin Carlos Peralta.
Projekti i ri vazhdon gjuhën e dizajnit të Peralta S, por shkon edhe më tej në përdorimin e bakrit dhe personalizimin e pjesës së jashtme dhe të brendshme. E bazuar në Maserati GranTurismo, Peralta D është konceptuar më shumë si një objekt koleksionimi sesa si një makinë e zakonshme për udhëtime të gjata.
Karroceria është realizuar nga bakri i pastër, i zgjedhur për pamjen e veçantë dhe përpunueshmërinë e tij. Çdo pjesë është formuar me dorë, ndërsa një vijë anësore ndan pjesën e poshtme, tërësisht prej bakri, nga pjesa e sipërme me xham pasqyrues. Ky i fundit është trajtuar për të reflektuar nuancën e metalit dhe për t’i dhënë makinës një pamje pothuajse monolitike.
Emri Peralta D lidhet me marrëdhënien e Carlos Peraltës me vajzat e tij, ashtu si Peralta S iu kushtua djemve të tij. Shkronja D lidhet gjithashtu me disa zgjidhje të dizajnit të menduara posaçërisht për një audiencë femërore.
Struktura e makinës është prej fibrash karboni, ndërsa platforma është prej alumini, sipas bazës së modelit Maserati. Rrotat kanë një motiv gjeometrik të frymëzuar nga vitet 1970 dhe janë përfunduar në ngjyrë të zezë antracit, për ta vënë edhe më shumë në pah karrocerinë prej bakri.
Fabrizio Giugiaro tha se Peralta D lindi nga bashkëpunimi krijues me Carlos Peraltën gjatë zhvillimit të modelit Peralta S. Sipas tij, projekti synon të vazhdojë të njëjtën rrugë stilistike, duke eksploruar mundësitë shprehëse të bakrit, një material tërheqës, por edhe kompleks për t’u përpunuar.
Një nga veçoritë kryesore të makinës është sistemi i hapjes së kabinës. Në vend të dyerve tradicionale, Peralta D përdor të njëjtën mbulesë të tipit “kupolë”, që hapet me një lëvizje të vetme, si te Peralta S, me xhama anësorë të pavarur. Në pjesën e pasme është shtuar një hapje e tipit krahë pulëbardhe, pa strukturë poshtë saj, e cila lehtëson hyrjen në sediljet e pasme.
Kjo zgjidhje të kujton dizajnin e De Tomaso Mangusta-s, të krijuar në vitin 1967 nga Giorgetto Giugiaro, babai i Fabrizio Giugiaro-s. Referenca e lidh projektin e ri të GFG Style me periudhën e artë të dizajnit automobilistik italian.
Pjesa e përparme dhe ajo e pasme pajisen me shirita të hollë ndriçimi që shtrihen përgjatë gjithë gjerësisë së makinës. Grilat me motive gjeometrike në formë diamanti, të përpunuara dhe të gdhendura me lazer në alumin, fshehin ndriçimin ndihmës dhe krijojnë efektin e quajtur “shadow lights”. Edhe elementet prej fibrash karboni, përfshirë spoilerin e përparmë dhe daljet e pasme të shkarkimit, janë fshehur nga pamja, në mënyrë që të mos ndërpresin ndërthurjen vizuale mes bakrit dhe xhamit.
Edhe kabina ndjek të njëjtën temë estetike. Sediljet, pulti dhe panelet janë veshur me lëkurë me efekt metalik, në një nuancë që përputhet me karrocerinë, ndërsa pjesët e shpuara prej Alcantara-s shtojnë kontrastin. Qepjet janë realizuar me fije të vërteta bakri, duke lidhur vizualisht pjesën e brendshme me atë të jashtme.
Pulti është ndarë në dy pjesë simetrike: instrumentet e shoferit ndodhen në të majtë, ndërsa pjesa përpara pasagjerit është përshtatur si një hapësirë për makijazh. Ekrani përpara sediljes së djathtë mund të shndërrohet në një pasqyrë të ndriçuar, duke theksuar dedikimin e projektit për vajzat e Peraltës.
Në konsolën qendrore të pasme është integruar edhe një frigorifer i fshehur, që del jashtë kur nevojitet dhe është projektuar për të mbajtur një shishe shampanjë dhe katër gota, të gjitha prej bakri.
Peralta D nuk është prezantuar përmes shifrave të performancës, por përmes dizajnit, materialeve dhe detajeve të personalizuara. Rezultati është një Gran Turismo që ndërthur mjeshtërinë artizanale me zgjidhje të veçanta teknike, duke e kthyer bazën e Maserati GranTurismo-s në një makinë unike për koleksionistin Carlos Peralta. /et


