Ish-modelja dhe pjesëmarrësja në konkursin Miss Switzerland, Beatrice Keul, pretendon se presidenti amerikan Donald Trump e ka përdhunuar në nëntor të vitit 1993, në hotelin Plaza në New York. Akuzat janë përfshirë në një raport të publikuar nga demokratët në Komitetin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, i cili shqyrton gjithashtu lidhjet e pretenduara të Trumpit me financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Sipas revistës amerikane “People”, e cila publikoi lajmin më 26 tetor 2026, raporti përmban një përshkrim të detajuar të dëshmisë së Keul, bazuar në një intervistë me stafin e komitetit.
Në kohën e ngjarjes së pretenduar, Keul ishte 24 vjeçe dhe punonte si modele dhe në sektorin e shërbimeve financiare. Sipas raportit, ajo ishte ftuar nga Jill Harth për të marrë pjesë në aktivitetin e konkursit të bukurisë, i zhvilluar në nëntor 1993 në Atlantic City dhe New York.
Gjatë një dreke me përfaqësues të medias në hotelin Plaza, që në atë kohë ishte në pronësi të Trumpit, ky i fundit dyshohet se iu afrua Keul dhe i premtoi se do ta ndihmonte të siguronte një vizë amerikane dhe të pranohej në Universitetin e New Yorkut.
Sipas dëshmisë së saj, pak më vonë, Jeffrey Epstein iu afrua gjithashtu duke i bërë premtime të ngjashme, përfshirë një ftesë për të marrë pjesë në një festë në rezidencën Mar-a-Lago.
Raporti pretendon se, më vonë gjatë asaj dite, një përfaqësues i Trumpit e ftoi ish-modelen të ngjitej në një suitë të hotelit për t’u takuar me të. Keul mendonte se takimi mund ta ndihmonte në karrierën dhe studimet e saj.
Megjithatë, sipas dëshmisë së saj, pasi hyri në dhomë, Trump e kapi nga pas dhe e përdhunoi. Ajo pretendon se gjatë incidentit iu gris fustani dhe pësoi gjakderdhje dhe mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit, duke e përshkruar sulmin e pretenduar si brutal.
Pas ngjarjes, sipas raportit, Trump vijoi t’i premtonte ndihmë për vizën dhe pranimin në universitet, ndërsa i kërkoi të mos fliste për atë që kishte ndodhur. Sipas dëshmisë së saj, ai i tha se “shfaqja duhet të vazhdojë”.
Keul përfundoi pjesëmarrjen në konkurs në gjendje të rënduar emocionale dhe u kthye në Zvicër. Disa javë më vonë, ajo refuzoi të merrte pjesë në një tjetër konkurs të sponsorizuar nga Trump në Hawaii. Sipas raportit, disa muaj pas incidentit të pretenduar, Trump e telefonoi sërish në Zvicër dhe i ofroi ndihmë për vizën dhe studimet, por ajo e refuzoi.
Dokumenti i demokratëve përmend gjithashtu pretendime të tjera për sjellje të papërshtatshme seksuale ndaj Trumpit, përfshirë një padi të vitit 1997 të ngritur nga Jill Harth. Raporti bën paralele mes premtimeve të pretenduara të Trumpit ndaj Keul dhe dëshmive të grave që kanë deklaruar se Epstein përdorte premtimet për mundësi arsimimi dhe karriere për të afruar dhe kontrolluar viktimat e tij.
Shtëpia e Bardhë mohon akuzat
Në një reagim për revistën “People”, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Lauren Bis, i hodhi poshtë pretendimet e ish-modeles, duke i cilësuar ato të pavërteta.
“Pretendimet e tilla nuk janë të vërteta”, deklaroi ajo, duke e cilësuar raportin si një përpjekje të demokratëve për të shpërqendruar vëmendjen nga arritjet e presidentit. Ajo përsëriti gjithashtu qëndrimin e administratës se Trumpi nuk ka përgjegjësi në lidhje me çështjen Epstein dhe tha se ai e kishte larguar financierin nga klubi i tij në Mar-a-Lago.
Trumpi nuk është akuzuar penalisht për rastin e pretenduar nga Beatrice Keul. Deri më tani, akuzat e saj nuk janë vërtetuar në gjykatë.
Rasti vjen në një kohë kur Trumpi është përballur edhe me akuza të tjera për abuzim seksual. Shkrimtarja E. Jean Carroll e akuzoi atë për sulm seksual në një dyqan në New York gjatë viteve 1990. Në vitin 2023, një juri civile e shpalli Trumpin përgjegjës për abuzim seksual dhe shpifje ndaj Carroll, duke i caktuar asaj dëmshpërblim. Trumpi i ka mohuar akuzat dhe ka kundërshtuar vendimet gjyqësore./k.m
