Çmimet e naftës u rritën me më shumë se 2 dollarë të mërkurën, pas një sulmi ndaj një rafinerie në Arabinë Saudite, eksportuesit më të madh të naftës bruto në botë, duke rikthyer shqetësimet për rreziqet ndaj furnizimit, për shkak të konflikteve në Lindjen e Mesme.
Kontratat e së ardhmes për naftën Brent u rritën me 2.02 dollarë, ose 1.8%, duke arritur në 115.90 dollarë për fuçi, në orën 07:35 GMT. Nafta bruto amerikane West Texas Intermediate (WTI) u rrit me 2.01 dollarë, ose 2%, në 101.91 dollarë për fuçi.
Rebelët Houthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, deklaruan të martën se kishin goditur me raketë rafinerinë më të madhe të naftës në Arabinë Saudite, duke intensifikuar sulmet ndaj prodhuesit të dytë më të madh të naftës bruto në botë.
Autoritetet saudite nuk e konfirmuan menjëherë sulmin ndaj rafinerisë, e cila ka një kapacitet përpunimi prej 550 mijë fuçish në ditë.
Çmimet u rritën ndjeshëm, pasi kishin rënë me afro 2 dollarë të martën.
Strategët e tregjeve të lëndëve të para në ING deklaruan të mërkurën se, për momentin, tregu vijon të reflektojë në çmime një probabilitet më të lartë të përshkallëzimit të ri të konfliktit.
“Çmimet e naftës mbeten të larta, ndërsa tregu pret më shumë qartësi mbi lëvizjen e ardhshme të Presidentit Trump ndaj Iranit”, thanë strategët e ING.
“Nëse kalojmë zgjedhjet pa sulme të reja ndaj Iranit, kjo mund të jetë e mjaftueshme që primi i rrezikut i përfshirë në çmimet e tregut të fillojë të ulet”, shtuan ata.
Ndërkohë, rezervat e naftës bruto në SHBA shënuan rënie, sipas burimeve të tregut që iu referuan të dhënave të Institutit Amerikan të Naftës (API). Sipas këtyre burimeve, rezervat e naftës bruto ranë me 2.03 milionë fuçi gjatë javës që përfundoi më 23 tetor.
Megjithatë, analistët e anketuar nga Reuters kishin parashikuar një rritje të rezervave të naftës bruto me rreth 15 mijë fuçi gjatë së njëjtës javë. Tregu është në pritje të raportit zyrtar javor të Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë (EIA), që pritet të publikohet më vonë gjatë ditës, për të pasur një panoramë më të qartë.
Tregu do të ndjekë gjithashtu mbledhjen e ardhshme të prodhuesve të naftës, të planifikuar për të dielën, ku vendet e OPEC+ pritet të mbajnë të pandryshuara objektivat e prodhimit për muajin dhjetor, sipas burimeve që kanë dijeni për çështjen.
Prodhimi në shumicën e shtatë vendeve kryesore anëtare të OPEC+ — Arabia Saudite, Rusia, Iraku, Kuvajti, Algjeria, Kazakistani dhe Omani — është nën objektivat e përcaktuara.
Eksportet e naftës bruto nga portet ruse në Detin Baltik dhe Detin e Zi mund të bien muajin e ardhshëm, pasi rafineritë vendase po rrisin prodhimin e naftës diesel, pas një marrëveshjeje të arritur këtë muaj me Uashingtonin, sipas tregtarëve./ Reuters-ad
