Në Sommarøy, dielli nuk perëndon për më shumë se dy muaj gjatë verës. Fshati u bë i famshëm në vitin 2019 me idenë e një jete pa orë dhe orare, por pas nismës fshihej një fushatë turistike.
Një ishull i vogël në Norvegji, ku dielli qëndron mbi horizont edhe në mesnatë, u kthye në një nga historitë më të pazakonta të turizmit në vitin 2019. Sommarøy, një fshat peshkatarësh në Arktik, u prezantua asokohe si vendi që synonte të bëhej zona e parë në botë ku koha nuk do të kishte më rëndësi.
Shtatë vjet më vonë, BBC u rikthye në këtë destinacion për të zbuluar se çfarë kishte mbetur nga ideja që bëri xhiron e botës dhe si jetohet sot në një vend ku kufiri mes ditës dhe natës zhduket për javë të tëra.
Një verë pa perëndim të diellit
Sommarøy ndodhet rreth 56 kilometra në perëndim të qytetit Tromsø dhe ka afërsisht 300 banorë të përhershëm. Nga 18 maji deri më 26 korrik, dielli nuk perëndon, duke krijuar një fenomen natyror që ndryshon ritmin e jetës së përditshme.
Pikërisht kjo veçori frymëzoi idenë e një zone pa kohë. Në vitin 2019, orët u varën në një urë si simbol i heqjes dorë nga matja tradicionale e kohës, ndërsa një peticion me firma iu paraqit një përfaqësuesi të parlamentit norvegjez.
Historia u përhap me shpejtësi në mediat ndërkombëtare. Megjithatë, realiteti rezultoi ndryshe nga sa ishte paraqitur fillimisht.
Fushata turistike që habiti vetë banorët
Sipas BBC-së, pas fushatës qëndronte Innovation Norway, agjencia shtetërore përgjegjëse për promovimin e turizmit në vend. Disa banorë kishin marrë pjesë në nismë, ndërsa të tjerë nuk ishin në dijeni të plotë të saj. Pasi roli i agjencisë u bë publik, drejtuesi i saj kërkoi falje.
Për shumë banorë, ideja e një jete plotësisht pa orare nuk ishte një plan konkret. Si do të funksiononin shkollat, hotelet apo restorantet nëse askush nuk do të merrte parasysh orën? Orët u zhdukën nga ura dhe fushata u shua, por historia e bëri ishullin të njohur në mbarë botën.
Një vend ku mesnata duket si mesditë
Pavarësisht polemikave, Sommarøy mbetet një destinacion që tërheq vizitorë për peizazhet e tij. Shtëpitë shumëngjyrëshe, portet e vogla, malet me dëborë dhe ujërat e Atlantikut të Veriut krijojnë një pamje që duket sikur ka dalë nga një kartolinë.
Gjatë udhëtimit të tij, gazetari i BBC-së takoi turistë që kishin mbërritur pikërisht për të përjetuar diellin e mesnatës. Njëri prej tyre tregoi se kishte dalë për të notuar në mesnatë, ndërsa dielli vazhdonte të ndriçonte qiellin.
Një tjetër vizitore rrëfeu se, ndonëse fillimisht ishte zhgënjyer nga fakti që dyqanet dhe restorantet vazhdonin të respektonin oraret e zakonshme, më pas kishte arritur të çlodhej duke fikur telefonin dhe duke shijuar qetësinë e vendit.
Një shëtitje në orën 03:30 të mëngjesit
Një nga momentet më të veçanta të udhëtimit ishte shëtitja e gazetarit në orën 03:30 të mëngjesit. Në vend që ta gjente fshatin në errësirë, ai doli në rrugë të qeta, me diellin ende lart në qiell.
Shtëpitë ishin të heshtura, rrugët pothuajse të zbrazëta dhe dallimi mes orëve dukej i parëndësishëm. Gazetari përshkroi një ndjesi të pazakontë qetësie, duke pranuar se nuk mund të përcaktonte nëse ajo vinte nga peizazhi apo nga përvoja e të qenit për pak çaste jashtë ritmit të zakonshëm të kohës.
Jeta pa orë nuk është e mundur, por një ritëm më i ngadaltë po
Sot, Sommarøy nuk ka hequr dorë nga ora. Dyqanet, restorantet dhe shërbimet vazhdojnë të funksionojnë sipas orareve të tyre, ndërsa banorët kanë rifituar gradualisht qetësinë pas vëmendjes së madhe mediatike.
Megjithatë, jeta në këtë ishull verior duket më e lirshme gjatë muajve të verës. Banorët mund të kalojnë më shumë kohë jashtë, fëmijët qëndrojnë zgjuar më vonë gjatë pushimeve dhe aktivitetet e përditshme përshtaten me dritën e pandërprerë.
Ndoshta Sommarøy nuk arriti ta zhdukte kohën, por historia e tij ngre një pyetje që mbetet aktuale edhe sot: sa shpesh e lejojmë orën të përcaktojë mënyrën se si jetojmë?/shekulli-ad
