“Zot, mund të më bësh çfarë të duash, vetëm të lutem më bëj të famshëm”.
Kjo ka qenë lutja e Matthew Perry-t, e cila u realizua, por erdhi dhe me shumë pasoja. Mes jetës së artë të vëmendjes publike dhe asaj të trishtë pas dyerve të mbyllura, e gjitha shfaqet në një dokumentar treorësh i titulluar “The One About Matthew Perry”.
Që nga ngritja dhe rënia e aktorit, dashuria e tij për njerëzit më të afërt, të mirat e tij për shoqërinë, por dhe dëshirën e përpjekjet që ai të tejkalonte periudhën më të errët të jetës së tij, shfaqen në këtë dokumentar prej tre pjesësh.
Fëmijëria e plotë, njëkohësisht e “mangët” e Matthew Perry-t
Prindërit e Perry-t u divorcuan kur ai ishte vetëm një foshnjë, por dashuria e vëmendja e tyre nuk mungoi asnjëherë tek ai, pavarësisht distancës fizike me të atin.
Ai jetonte me nënën e tij në Kanada, por fluturonte shpesh në Kaliforni për të takuar të atin, aktorin John Bennett Perry. Ky i fundit mjaft i njohur, por dhe një rol model për të voglin Matthew, i cili e shihte shpesh nga televizori dhe dukej sikur mjaftohej duke parë ashtu babain e tij.
Në dokumentar jepet një nga “traumat” e Perry-t, kur ai ishte vetëm 5 vjeç dhe ka bërë udhëtimin e tij të parë vetëm për të takuar të atin. Në kokën e tij ishte një rrip ku shkruhej “I mitur i pashoqëruar”.
Mia Perry, motra e Matthew-t, lindi nga njerka e tij kur ai ishte vetëm 16 vjeç. Ajo erdhi si një personazh shumë i rëndësishëm në dokumentar, pasi tregonte atë anën e aktorit që, pavarësisht se mund të merrej me mend nga publiku, nuk ka se si dëshmohet përveçse nga një familjar. Mia tregoi dashurinë dhe lidhjen e ngushtë që Matthew kishte me familjen, e se si ai bënte gjithçka për lumturinë e tyre, aq sa dhe shërimin e tij e lidhte me ndjesinë për të qenë pranë tyre sa më gjatë.
Motra tregoi se Matthew bëri dhe një episod të shkurtër me të atin, gjë që, sipas saj, mund të ketë qenë momenti kur ai, si një fëmijë, ëndërronte për një jetë si aktor i famshëm.
E me kalimin e viteve, nisi të vihej re nga të gjithë dhuntia dhe dashuria e Matthew-t për t’i bërë njerëzit për të qeshur. Një gjë që vinte natyrshëm prej tij, por e bënte atë të “varur” nga të qeshurat e të tjerëve. Ai kishte nevojë t’i shikonte njerëzit duke qeshur, i dukej se ishte një shtysë e i jepte një kuptim jetës së tij.
“Ai e dinte se i bënte njerëzit për të qeshur, e bënte të ndihej mirë. Ai ishte i tillë: Nëse çdokush qesh, çdo gjë do të shkojë mirë”, u shpreh Mia në dokumentar.
Nga viti 1994 deri në vitin 2004, në 236 episode, Matthew Perry e bëri botën të qeshte si Chandler Bing në sitcom-in më të dashur “Friends”.
I zgjuar, i mprehtë, plot shprehje sarkastike, Perry i shndërroi ankthet e përditshme në disa nga replikat më të cituara të televizionit dhe u bë, për miliona njerëz, miku i tyre i preferuar.
Parë sot, Chandler dhe Perry ishin shumë të ngjashëm.
Kur lexoi skenarin për sitcom-in, për të luajtur rolin e Chandler Bing, një personazh që përdorte humorin për të mbuluar boshllëkun e tij shpirtëror, ai thjesht e dinte që ky ishte ai!
Matthew Perry si Chandler Bing
Perry i jetës reale ishte po aq i hapur për dhimbjen që fshihej pas të qeshurës, e cila buronte nga beteja me varësinë që duroi për pjesën më të madhe të jetës së tij. Kur ai vdiq pas një mbidoze aksidentale, në tetor 2023, në moshën 54 vjeç, bota mbajti zi jo vetëm për një ikonë komike, por edhe për një avokat, sinqeriteti i të cilit për sëmundjen e tij ishte bërë një trashëgimi më vete.
Vdekja e tij, e pritshme, por shokuese!
Kjo ishte fjalia që e tronditi Mia-n, lajm i trishtë që u dha nga bashkëshorti i saj në mes të një bari, pasi çifti do të takohej aty pas një mbledhjeje pune që ajo kishte atë ditë.
“Unë thashë: Jo, ai s’ka vdekur. Nuk qava, nuk kisha asnjë reagim. Thjesht thashë: Jo!”, rrëfeu motra e aktorit në dokumentar.
Po aq e pabesueshme ishte dhe për shokun e tij më të ngushtë, Roger Castillo, i cili, vetëm pak kohë përpara se Matthew të ndërronte jetë, ata ishin bërë bashkë në shtëpinë e aktorit për disa ditë.
“Sapo mora lajmin që shoku im më i ngushtë kishte vdekur. Por… kisha fëmijët aty dhe e di, duhej të përpiqesha të mblidhja veten. Futem në makinë, çoj fëmijët tek shtëpia e gjyshes së tyre. Më pas thjesht ula kokën e kam qarë për rreth një ore”, kujton Roger.
Por ky i fundit kishte dhe një peng.
“Kisha një vizitë të këndshme. Shumë miq të mrekullueshëm erdhën (në shtëpinë e Matthew-t) dhe bëmë shumë qejf. Ditën tjetër, ai (Matthew) u ngrit vonë dhe unë po bëhesha gati për të ikur, për të shkuar në aeroport. Dhe ai ishte: Jo, jo, më fal, më zuri gjumi. Qëndro disa ditë më shumë. Qëndro disa ditë më shumë, do të kujdesem për gjithçka. Për çfarëdo, do të ndryshoj biletën tënde. Nëse të mungojnë lekë nga puna, do ta mbuloj unë. Vetëm qëndro edhe disa ditë. Unë isha: Jo, më duhet të shkoj. E di, supozohet të jem aty për shfaqjen e fëmijës tim.
Do të doja… do të doja të kisha qëndruar”, rrëfeu mes lotësh Roger.
Matthew me dy miqtë e tij më të mirë
Për mikun tjetër më të ngushtë të aktorit, David Pressman, vdekja e Matthew-t ishte pikërisht si një nga shprehjet e këtij të fundit.
“E di, është një shprehje në librin e tij. Ai thotë diçka të tipit ‘Është e çuditshme të jem në një botë ku nëse vdes, do të jetë shokuese, por jo surprizuese’. Diçka e tillë. Dhe e ndjeva këtë. Ishte shokuese se si ndodhi. Por, ishte një pjesë e madhe e imja që ishte përgatitur për këtë”, tha David.
Po aq e trishtë ishte vdekja e Matthew-t dhe për kolegët e miqtë e krijuar nga sitcom-i “Friends”, që nuk munguan në varrimin e tij.
“Të pestë ata ecën drejt arkivolit duke mbajtur duart dhe qëndruan përreth tij duke qarë”, kujtoi Mia.
Kuptimi i vërtetë i dokumentarit
Trashëgimia e avokacisë për përpjekjet e një jete më të mirë është thelbi i “The One About Matthew Perry”, dokumentarit të parë të thelluar rreth aktorit, që paraqet disa nga njerëzit që e njihnin më mirë. Seriali intim me tre pjesë, i drejtuar nga fituesja e çmimit Emmy, Mary Robertson, tani po transmetohet në Netflix.
Robertson thotë se ajo nisi të bënte një film “për ata që e duan Matthew-n që, meqë ra fjala, është pak a shumë njësoj si të gjithë, që ta duan më shumë”.
Kjo do të thoshte të refuzonte të largonte vëmendjen nga pjesët e vështira.
“Kjo nuk do të thotë të përqendrohesh vetëm në momentet kur ato ishin perfekte ose të gëzueshme”, i tha Robertson Tudum-it. “Do të thotë të nderosh luftën dhe gëzimin, dritën dhe errësirën.”
I bazuar në dëshmi të padëgjuara më parë nga motra e Perry-t, Mia Perry Bowick, dhe miqtë e tij më të mirë të jetës, seria me tre pjesë, e cila përmban foto dhe video të papublikuara nga arkivi privat i familjes Perry, gjurmon udhëtimin e tij nga ylli në ngritje i komedisë në njeriun që bota ende e do si mikun e tyre të preferuar.
Kujtimet e dorës së parë nga bashkëpunëtorët e tij krijues dhe miqtë që e adhuruan dhe e mbështetën janë të ndërthurura me detaje të reja të sinqerta mbi problemet e tij private.
Për miliona njerëz, Matthew Perry do të mbetet gjithmonë ai miku që, përmes të qeshurave, u bë pjesë e shtëpive dhe kujtimeve të tyre!/mxh
