Modelja Arbenita Ismajli ka ndarë disa mesazhe të forta në rrjetet sociale, përmes të cilave ka vënë në pikëpyetje rolin e institucioneve në mbrojtjen e grave dhe fëmijëve, si dhe ka kundërshtuar presionin shoqëror që gratë të ndjekin modele tradicionale të jetesës.
Në një prej reagimeve të saj, Arbenita u është drejtuar drejtpërdrejt grave, duke i nxitur të mos marrin vendime të rëndësishme për jetën vetëm për të përmbushur pritshmëritë e të tjerëve.
“Oj femra, mjaft u dhatë pushtet burrave mbi jetët tuaja! Mos u martoni, mos bëni fëmijë vetëm sepse kështu e kërkon shoqëria”, shkruan modelja.
Në një tjetër postim, ajo është ndalur te përvoja e saj personale si nënë, duke shprehur zhgënjimin dhe mungesën e besimit te institucionet që, sipas saj, duhet të garantojnë mbrojtjen e saj dhe të fëmijës. Arbenita përmend gjykatat, prokurorinë dhe Qendrën për Punë Sociale, duke pretenduar se shqetësimet e saj për sigurinë, frikën dhe traumën nuk janë trajtuar me seriozitetin e duhur.
“Për ta ishim thjesht një dosje, jo dy jetë njerëzish që meritonin mbrojtje”, thuhet në reagimin e saj.
Modelja shprehet se, kur bëhet fjalë për sigurinë e saj dhe të fëmijës, nuk ndihet e detyruar t’i besojë një sistemi që, sipas saj, nuk ka përmbushur përgjegjësitë. Ajo thekson se mbrojtja e tyre është përparësia e saj, duke nënvizuar rëndësinë e reagimit në kohë përpara se situatat e rrezikshme të përfundojnë me pasoja të rënda.
“Nuk kam detyrim t’i besoj një sistemi që na ka dështuar. Kam detyrim ta mbroj fëmijën tim dhe veten, me çdo kusht”, shkruan ajo.
Reagimi i Arbenitës vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila më herët i ishte drejtuar me një letër kryeprokurores në Pejë lidhur me rastin e saj. Ngjarja ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për mbrojtjen institucionale të grave që ndodhen në situata rreziku.
Arbenita ka qenë e martuar me reperin Fero, i cili është përballur me akuza për dhunë në familje.
Përmes deklaratave të saj, modelja rikthen në qendër të debatit nevojën për mekanizma efektivë mbrojtjeje, mbështetje për gratë dhe ndërhyrje institucionale në kohë, në mënyrë që ato dhe fëmijët e tyre të mos përballen të vetëm me situata që mund të kërcënojnë sigurinë e tyre./mxh
