Last Updated on 28/10/2026 by EL
Të paktën 64 persona kanë humbur jetën dhe 80 të tjerë kanë mbetur të plagosur nga një aksident i rëndë hekurudhor në Spanjë, sipas autoriteteve rajonale të Castilla-La Mancha-s. Rreth 50 prej të plagosurve raportohet se janë në gjendje të rëndë.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, katër vagonë kanë dalë nga shinat, ndërsa në aksident janë përfshirë dy trena. Njëri prej vagonëve është parë i përmbysur, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe transportimin e të plagosurve.
Shumë prej tyre po marrin trajtim në spitalet pranë zonës së aksidentit, ndërsa të tjerë po transportohen drejt Madridit, rreth 140 kilometra larg. Helikopterët e emergjencës kanë fluturuar vazhdimisht mbi vendngjarje për të ndihmuar në evakuimin e të plagosurve.
Tragjedia vjen në një periudhë të vështirë për Spanjën, e cila ishte tronditur edhe nga aksidenti hekurudhor në Adamuz, pranë Kordobës, ku humbën jetën 46 persona.
Aksidenti i fundit rikthen vëmendjen te siguria e rrjetit hekurudhor spanjoll, dikur i konsideruar ndër më të mirët në Evropë. Një tjetër tragjedi e përmasave të tilla ishte ajo e korrikut të vitit 2013, pranë Santiago de Compostela, ku 80 persona humbën jetën pasi një tren me shpejtësi të lartë doli nga shinat.
Ndërkohë, Federata Spanjolle e Futbollit ka njoftuar shtyrjen e 24 ndeshjeve të Kupës së Mbretit, në shenjë solidariteti me viktimat dhe familjet e tyre. Autoritetet pritet të vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit./et
