Youssef Siher, studiuesi italian 30‑vjeçar me origjinë marokene, është liruar. Ai ishte arrestuar të shtunën në mbrëmje në cilësinë e administratorit të kanalit Telegram “Movimento 17 ottobre” (Lëvizja 17 tetori), i krijuar pas dy ditëve të plaçkitjeve dhe shkatërrimeve në Milano. Vendimi është marrë nga gjyqtarja Tiziana Landoni, e cila ka refuzuar kërkesën për konfirmimin e arrestimit dhe aplikimin e masës së paraburgimit të propozuar nga prokurorja Francesca Crupi, e cila drejton hetimin së bashku me prokurorin Marcello Viola.
Prokurorët e kanë akuzuar atë dhe bashkëshorten e tij, e cila është nën hetim por e lirë, për veprën penale të nxitjes për kryerjen e krimeve, me rrethana rënduese të terrorizmit dhe dhunës së organizuar gjatë një manifestimi publik. Gjyqtarja ka mbështetur argumentet e mbrojtjes, të paraqitura nga avokatët Benedetto Ciccarone dhe Yasmina Abu Sharar, të cilët kundërshtuan versionin e prokurorisë dhe nevojën për paraburgim.
Arsyetimi i gjykatës
Në përmbajtjen e publikuar në grupin Telegram “Movimento 17 ottobre”, shkruan gjyqtarja hetuese, Siher ka shprehur “forma proteste” kundër “politikave aktuale të qeverisë”, si dhe “thirrje për akte të ‘mosbindjes civile’”, por këto nuk “përkthehen në sjellje të dhunshme apo kriminale, por vetëm në organizimin e demonstratave javore, të menduara për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të angazhuar sa më shumë njerëz”.
Meloni: Vendim i turpshëm nga gjyqtarja
“Një vendim i turpshëm”. Ky është vlerësimi i Kryeministres Giorgia Meloni, i shprehur pa ekuivok në një video të postuar në rrjetet sociale, ku ajo komenton vendimin e gjyqtares së Milanos. “Besoj se kjo është një fyerje e papranueshme ndaj punës së policisë, hetuesve, Ministrisë së Brendshme dhe, më gjerë, ndaj të gjithë atyre që përpiqen të mbrojnë qytetarët e ndershëm nga rreziku i shkatërrimit të qyteteve dhe bizneseve të tyre”, tha Meloni.
Linja mbrojtëse
Më 27 tetor, Siher vendosi të mos i përgjigjej gjyqtares Landoni, i bindur, sipas mbrojtjes, se kishte ushtruar liritë dhe të drejtat e garantuara nga Kushtetuta, dhe se nuk kishte menduar kurrë se mesazhet e shkruara e të dërguara në Telegram do ta çonin në burg me akuza kaq të rënda. Ai këmbëngul se nuk ka kryer asnjë nga veprat penale që i atribuohen, duke theksuar se në chat‑in “Movimento 17 ottobre” nuk ka përdorur gjuhë të dhunshme për të nxitur rebelim kundër rendit të vendosur apo për të promovuar një “luftë” kundër qeverisë Meloni./mxh
